“Finalet fitohen, nuk luhen”, Lautaro në delir pas triumfit: Nuk ishte hakmarrje, Interi i përket Champions-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2023 | 8:50

“Finalet fitohen, nuk luhen”, Lautaro në delir pas triumfit: Nuk ishte hakmarrje, Interi i përket Champions-it

Pas Botërorit dua edhe Champions League”, deklaronte Lautaro Martinez pak muaj më parë dhe atëherë shumë e konsideronin të parealizueshme këtë ëndërr të argjentinasit. Sot, sulmuesi i Interit është vetëm 90 minuta larg përmbushjes së kësaj profecie, falë edhe kontributit të tij të jashtëzakonshëm.

lautaro

Goli i shënuar mbrëmjen e djeshme i shërbeu jo vetëm për të vulosur përfundimisht kualifikimin për në finale dhe për t’u bërë vetëm argjentinasi i tretë që shënon të paktën 10 gola në këtë kompeticion me fanellën zikaltër (Kruz 13, Krespo 11), por edhe për të marrë çmimin si “Lojtari më i mirë i ndeshjes”.

Në fjalën e tij në përfundim, 25-vjeçari nuk e ka fshehur lumturinë duke treguar përjetimet para dhe pas ndeshjes, por ka paralajmëruar edhe se për të dhe Interin nuk ka mbaruar këtu.

OBJEKTIVI – “Një gëzim i pabesueshëm, jam shumë i lumtur. Falënderoj familjen time, ky sport është gjëja më e bukur në botë. Të luash në finalen e Champions League është një ëndërr. Mendoj se kjo ndeshje ka shumë histori. E ndjeva, ua thashë djemve që në dhomën e zhveshjes. Kemi bërë një punë të mirë në të dyja ndeshjet. Çelësi ishte grupi, kam pasur një përvojë të ngjashme në Kupën e Botës. Nëse arrin të transmetosh që jeni një grup i mirë, atëherë mund të shijosh frytet dhe të përjetosh ndeshje të tilla të rëndësishme”, e ka nisur deklaratën e tij sulmuesi, që ka komentuar edhe sezonin e Interit.

“A na ndihmon ky sukses të harrojmë humbjen e kampionatit të kaluar? E kemi lënë në të shkuarën atë sezon, kjo nuk ishte hakmarrje. Kemi synime të reja dhe sot (dje) arritëm një objektiv shumë të rëndësishëm për secilin prej nesh. U transformuam gjatë rrugëtimit tonë, sepse kemi lojtarë me shumë cilësi, në Champions League treguam se Interi është atje dhe se ka lojtarë që mund të bëjnë shumë gjëra me këtë fanellë”, është shprehur Lautaro.

FINALJA – Sigurisht që Lautaro dhe Interi nuk duan të ndalen vetëm te finalja, por duan të sjellin në Milano trofeun dhe do të bëjnë gjithçka që është e mundur për këtë, siç është shprehur vetë argjentinasi.

“Finalet nuk luhen, fitohen dhe kështu do të bëjmë. Do ta luajmë si ndeshjen e fundit dhe do të lëmë gjithçka në fushë për të arritur të marrim trofeun. Sa herë që dal në fushë përpiqem të jap më të mirën dhe të ndihmoj të gjithë shokët e mi të skuadrës. Të kem mundësinë të fitoj Champions League, pasi fitova Botërorin është diçka e jashtëzakonshme, një ëndërr. Do të jap gjithçka, ia dedikoj familjes sime dhe futbollit, është një sport i mahnitshëm”, përfundoi numri 10 zikaltër.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"