“Finale” për vendin e dytë, ja për çfarë luhet Kukësi-Partizani në “Zeqir Ymeri”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2018 | 20:14

“Finale” për vendin e dytë, ja për çfarë luhet Kukësi-Partizani në “Zeqir Ymeri”

Kukësi-Partizani është kryendeshja e javës së 29-të të Kategorisë Superiore që luhet nesër në orën 16:00 në “Zeqir Ymeri”. Verilindorët presin në shtëpi Partizanin dhe nga ky takim, me shumë gjasa, përcaktohet fati i vendit të dytë që, dashje pa dashje, në këtë pjesë të mbetur të sezonit po trajtohet sikur të jetë për titull. Vendi i dytë, për momentin, shikohet si një mundësi “e artë” për të marrë pjesë në eliminatoret e Champions-it, duke marrë të mirëqenë dënimin e Skënderbeut nga UEFA.

kukesi partizani

Ndaj, ky takim merr karakterin e një finaleje për të dyja ekipet, ndonëse mbeten edhe 7 javë të tjera për t’i luajtur deri në fund të sezonit. Nëse takimi mbyllet në barazim, diferenca mes Kukësit dhe Partizanit mbetet e pandryshuar, 6 pikë. Kukësi kërkon fitoren për të thelluar distancën me vendin e tretë, pasi largohet me 9 pikë nga Partizani dhe vendi i dytë mund të quhet si i blinduar për kampionët në fuqi, por jo matematikisht.

Ndërsa fitorja e Partizanit do ta rihapte garën për vendin e dytë, si dhe do t’u jepte të kuqve më shumë shpresë për të siguruar një biletë europiane, pasi ndjekësit më të afërt, Luftëtari dhe Laçi, ndeshen mes tyre këtë javë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"