Filozofia e Gjylës: Të mësojmë edhe nga fitoret, nuk kemi arritur ende asgjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2019 | 14:47

Filozofia e Gjylës: Të mësojmë edhe nga fitoret, nuk kemi arritur ende asgjë

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, në një pronon cim enkas për gazetën “Panorama Sport”, thekson se skuadra e tij duhet të qëndrojë me “këmbë në tokë”, sepse janë luajtur vetëm 180 minuta dhe kryesimi aktual nuk do të thotë asgjë. “Duhet të mos jemi euforikë.

gjyla

Është vetëm fillimi i kampionatit, kemi luajtur vetëm 2 ndeshje dhe janë edhe 22 të tjera. Nuk kemi bërë asgjë. Për t’u ngjitur, siç është një shprehje, ngjitesh shkallë-shkallë, ndërsa kur bie, thyen ‘turinjtë’. Kjo ndodh kur e merr me mendjemadhësi, kur mendon se ke fituar dy ndeshje dhe do t’i fitosh edhe të tjerat. Absolutisht jo! Jam mësuar të qëndroj me ‘këmbë në tokë’ dhe kështu do të vazhdoj deri në fund. Nuk fitohen ndeshjet pa luajtur. Kemi bërë mirë, por kemi bërë edhe gabime, kështu që ka ende për të riparuar. Nuk ka vend për mburrje”, deklaron në fillim trajneri i Lushnjës, duke dashur të largojë euforinë pas 2 fitoreve të para.

GABIMET 

“Luajmë me Besën këtë të shtunë. Kavajasit kanë një ekip simpatik, që di të luajë futboll dhe që ka pretendimet e veta. Megjithatë, unë shoh punën e djemve të mi. Në Ballsh bëmë gabime. Kishim përballë një skuadër që vraponte në fushë, Apolonia është e përgatitur mirë fizikisht dhe taktikisht, por ne bëmë tonën. E rëndësishme është të përfitosh edhe nga fitorja, të nxjerrësh gabime edhe kur merr pikët. Jemi të qetë, sepse kemi marrë pikët maksimale, por kjo nuk do të thotë të ‘flemë mbi dafina’ në vazhdim”, u shpreh më tej Gjyla.

lushnja

MAGANI

Trajneri i Lushnjës foli edhe për episodin e zëvendësimit të Maganit gjatë pjesës së parë të ndeshjes me Apoloninë. “Futbollistët janë për t’u ndërruar dhe ne trajnerët jemi për të ndërruar futbollistët. Maganin e ndërrova taktikisht, siç mund të ndërroj çdo futbollist tjetër. Do ta fus prapë, do ta ndërroj prapë Maganin dhe gjithë të tjerët. Nuk ka asnjë problem. E pamë që nuk po shkonim mirë në atë krah dhe e ndërruam. Bëmë analizën dhe e kritikuam. Është shumë herë më mirë të kritikosh me fitore dhe jo me humbje. U ndërrua taktikisht, asgjë tjetër”, thotë Gjyla.

BESA 

Të shtunën e kaluar tekniku Gjyla ndoqi nga afër ndeshjen Besa-Elbasani, që luhej në stadiumin “Roza Haxhiu”. Pa kundërshtarin e kësaj jave, Besën, nga e cila pret të japë maksimumin në fushë. “Ndeshja ndeshjes nuk i ngjan. Duhet të kemi një gjë parasysh, të gjitha ekipet mobilizohen me Lushnjën. Po thuhet shumë se nga Grupi B hyn Lushnja dhe kjo gjë nuk më pëlqen. Nuk kemi hyrë. Patjetër që Lushnjës të gjitha skuadrat do t’i kundërvihen fort dhe çdo skuadër e nxjerr një ndeshje. Edhe Besa është pretendente dhe presim një sfidë reale me të. Nuk e di si do të jetë në këtë ndeshje dhe duhet të japim maksimumin në fushë. Duhet t’i marrim skuadrat me radhë”, ka përfunduar trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"