Filozofi Dobjani: Portieri si kirurgu, gabimi i kushton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2019 | 14:44

Filozofi Dobjani: Portieri si kirurgu, gabimi i kushton

Vlera më e madhe e Besës së këtij sezoni janë të rinjtë, që nga ndeshja në ndeshje po rriten. Një ndër ta është portieri Ilir Dobjani, i cili bën pjesë te Kombëtarja U-19 dhe prej dy vitesh mbron portën verdhezi. 

Dobjani

Ky është sezoni i tij, pasi me largimin e Mirakës, ka hapësirat e nevojshme. Në dy takimet e fundit, Besa nuk ka pësuar gol, pasi 19- vjeçari ka treguar një formë shumë të mirë. Për “Panorama Sport”, ai shprehet: “Roli i portierit është më i vështiri. Gabojnë dhjetëra herë sulmuesit, gabojnë mbrojtësit dhe nuk ka shumë problem, ndërsa ne portierët jemi si kirurgët, çdo gabim na kushton shtrenjtë. Jam koshient për këtë risk, por e zgjodha me dëshirë këtë rol. Punoj çdo ditë fort, të gaboj sa më pak. I jam mirënjohës trajnerit Taulant Guma, që po na rrit profesionalisht dhe Maganit për besimin.

Duhet të fitojmë me Elbasanin, që të marrim rrogën e bllokuar nga presidenti. Nuk jemi vullnetarë, por për mua themelore është emri, tradita dhe fytyra e Besës. Kur futesh në fushë i harron të gjitha dhe kërkon vetëm fitoren. Ndeshjen me Elbasanin e kemi vlerësuar maksimalisht, vijmë pas dy fitoresh me Devollin e Orikun dhe gjendja psikologjike është mjaft e mirë. Duam t’i mbyllim me fitore takimet që na kanë mbetur për këtë vit, me Elbasanin dhe Lushnjën. Përtej modestisë, mendoj se Besa ka ekipin më të mirë në Grupin B, askush nuk luan futbollin tonë”.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"