“Filmi” i një sezoni futbollistik, Shqipëria për “Oskar”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2017 | 20:21

“Filmi” i një sezoni futbollistik, Shqipëria për “Oskar”

Edicioni futbollistik 2016-2017 në Shqipëri është për t’u vënë në kornizë si një ndër më të rrallët për ngjarjet që ka prodhuar dhe çuditë me të cilat na ka mësuar. Javë pas jave e muaj pas muaji, ky edicion ka dhuruar ngjarje të rralla, një pjesë të të cilave “Panorama Sport” është munduar t’ua rikujtojë më poshtë.

– Korabi nuk luan asnjë ndeshje në të gjithë sezonin në Superiore në fushën e vet. Ndryshon 6 stadiume si pritës gjatë edicionit.

– FSHF promovon gjyqtarin Andi Koçi dhe arrin t’i sigurojë stemën e ndërkombëtarit të FIFA-s në dhjetor. Vetëm 5 muaj më vonë, po me propozim të FSHF-së, atij i hiqet stema e FIFA-s.

Gjyqtarë: A.Koçi, E.Velo, H.Lisaku

– Tirana mbyll një sezon të plotë, 36 ndeshje, pa fituar asnjë penallti në favor të saj.

– Vetëm 4 skuadra mbyllin sezonin e Superiores me golavarazh pozitiv (Kukësi, Partizani, Skënderbeu, Flamurtari). Bashkë me Luftëtarin, ata janë të vetmit që kanë mesataren e më shumë se një goli të shënuar për ndeshje.

– Java e katërt e Kategorisë Superiore është për rekord, pasi në 5 ndeshje shënohet vetëm 1 gol (Skënderbeu-Luftëtari 1-0).

– Sezoni 2016-2017 do të kujtohet edhe si ai i dy tentativave për sulme terroriste në aktivitete sportive. I pari, i sinjalizuar nga shërbimet sekrete të huaja, detyron lëvizjen e ndeshjes Shqipëri-Izrael nga Shkodra në Elbasan. I dyti, i sinjalizuar nga policia shqiptare, detyron shtyrjen me 10 ditë të ndeshjes Kamza-Besëlidhja, e luajtur në të njëjtin stadium dhe në të njëjtat kushte.

– Federata Shqiptare e Futbollit përjashton zyrtarisht nga stadiumet grupimin “Illyrian Elite” që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes Itali- Shqipëri në Palermo. Tri ditë më vonë, grupimi shfaqet në “Elbasan Arena” duke ndjekur i pashqetësuar takimin Shqipëri – Bosnjë-Hercegovinë.

tifozet itali shqiperi

– Ndeshja vendimtare për titullin kampion mes Kukësit dhe Skënderbeut gjykohet nga një treshe shqiptare dhe pa gjyqtarë në vijën e portës.

– Një javë më parë dhe një javë më mbrapa, FSHF cakton gjyqtarë të huaj për ndeshje, të cilat nuk ndikonin te titulli kampion, në njërën madje edhe pa i lajmëruar klubet se do të bënte një gjë të tillë.

– Për herë të parë në histori, FIFA i bllokon një klubi shqiptar mundësinë për të ndërhyrë në merkato. Tiranës i ndalohet të bëjë blerje gjatë janarit për shkak të një detyrimi të papaguar prej 5 mijë dollarësh ndaj Martin Kavdanskit.

bakaj

– Futbollistët Elis Bakaj dhe Gilman Lika refuzojnë të luajnë ndeshjen vendimtare mes Vllaznisë dhe Tiranës që do të përcaktonte rënien nga kategoria të njërës prej dy skuadrave. I dyti luan pa probleme pak ditë më vonë në finalen e Kupës së Shqipërisë duke ndihmuar Tiranën të fitojë trofeun.

– I përjashtuar përjetësisht nga drejtësia sportive italiane nga të gjitha aktivitetet futbollistike në Gadishullin Apenin, Luçiano Moxhi i kthehet profesionit të tij në Shqipëri, duke iu bashkuar stafit të Partizanit.

moxhi starova

– FSHF ia beson tërësisht projektin e kombëtareve të moshave ndihmësit të Xhani De Biazit, Paolo Tramexani, duke e emëruar edhe Drejtor Teknik të të gjitha kombëtareve. Eksperienca zgjat vetëm tre muaj, pasi Tramexani largohet për të marrë drejtimin e Luganos në Zvicër, duke marrë me vete si asistent edhe trajnerin e U-15, Alesandro Reçenti, të cilin e kishte afruar te kuqezinjtë vetëm 1 muaj më parë.

– Besa për rekord, ndërron 4 trajnerë në katër javët e para të kampionatit të Kategorisë së Parë. Një prej tyre është edhe Bekim Kuli, i cili emërohet dhe shkarkohet brenda 24 orësh, pa pasur mundësinë që të drejtojë qoftë edhe një minutë lojtarët në fushë gjatë një ndeshjeje.

Kuli

– Grupi i Veriut në Kategorinë e Parë regjistron skuadra që administrohen nga e njëjta Bashki, Kastrioti dhe Iliria nga ajo e Krujës, ndërsa Besëlidhja me Shënkollin nga ajo e Lezhës. Të katër klubet mbijetojnë pa probleme.

– Del video-skandali ku një menaxher futbollistësh tenton të korruptojë Emiljano Vilën. FSHF nuk nis asnjë hetim. Prokuroria si gjithnjë me xhiro të ngadalta…

drini vila naimi

– Një pjesë e mirë e klubeve shqiptare në kolaps financiar, UEFA i dhuron 1 milion euro pa asnjë motiv FSHF-së.

– Nëntë nga dhjetë klubet e Superiores nuk ishin në dijeni të Fondit të Solidaritetit nga UEFA… U desh një investigim i “Panorama Sport” që të hidhej dritë…

– Dy nga tre klubet me stadiume të reja ranë nga kategoria (Tirana dhe Elbasani), ndërsa Vllaznia ishte gjithashtu shumë pranë rënies.

– Qarku i Elbasanit, një ndër më të mëdhenjtë në Republikë, ka 6 skuadra, por të gjithë në Kategoritë Inferiore.

tirana-kukesi

– Dy skuadrat që bënë aleancë mes tyre gjatë edicionit, Tirana dhe Kukësi, morën dy trofetë më të rëndësishëm dhe ndërkohë do të diskutojnë edhe Superkupën mes tyre…

– Për herë të parë në Shqipëri, ekipet e Kategorisë së Parë kanë më shumë tituj kampionë se ata të Superiores.

– Flamurtarit i hiqen gjashtë pikë për borxhe të pashlyera edhe për lojtarë që i kishte në gjirin e vet (Franc Veliu).

veliu

– Golashënuesit më të mirë janë dy të huaj, Pejiç dhe Ekuban.

– Skënderbeu u pezullua në qershor të vitit 2016 për të mos marrë pjesë në Champions prej trukimeve. Komisioni i Etikës së FSHF-së mblidhet në qershor të vitit 2017 për të dhënë një vendim.

– Mirel Josa, 4 herë radhazi kampion i Shqipërisë me Skënderbeun, shkon te Tirana dhe bie nga kategoria. Fiton edhe Kupën gjithashtu.

josa tirana kupa

– Edeh i Tiranës është sulmuesi i vetëm i Superiores, të cilit u janë anuluar gjysmat e golave.

– Tirana largon Vucajn dhe Nikën si të panevojshëm. Tirana bie nga kategoria, Laçi shpëton me Vucajn dhe Nikën.

– Besëlidhja luan deri në çerekfinale në fushën e saj dhe eliminon Flamurtarin dhe Partizanin nga Kupa. FSHF kujtohet në gjysmëfinale se stadiumi i Lezhës nuk plotësonte kushtet e licencimit.

beselidhja kamza

– De Biazi vë rekord, thërret Lenjanin që ka luajtur vetëm 160 minuta gjithë vitin dhe Shehin që ka lënë futbollin.

– Ergys Kaçe deklaron se nuk do të kthehet më sa të jetë De Biazi trajner. Ndërkohë, sot është duke u stërvitur nga italiani…

– Taulant Xhaka braktis grumbullimin e Kombëtares shqiptare dhe akuzon trajnerin: nuk mund të jetë më shqiptar sesa unë.

– Rei Manaj e nis sezonin me Interin, por më pas u huazua te Peskara dhe Piza. Bilanci: Interi nuk hyn në Europë, Peskara bie nga Seria A, Piza zbret nga Seria B.

manaj

– De Biazi bëri “çmenduri” ndaj Izraelit duke aktivizuar 3 sulmues edhe pse ekipi mbeti me nëntë lojtarë.

– Fiken dritat në stadium dhe derbi Partizani-Tirana luhet në dy ditë radhazi.

– Dy ditë radhazi u luajt edhe ndeshja e parë eliminatore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për shkak të kushteve atmosferike. Përfundoi 2- 1 në favor të kuqezinjve.

– Tirana lë në stol Karabecin kundër Korabit për ta ruajtur ndaj Skënderbeut, por… i kishte numëruar gabim kartonët.

– Maganët e Teutës janë në qendër të vëmendjes gjithë sezonin. Në fund qëndron trajneri dhe largohet sulmuesi.

artur magani

– Tefik Osmani akuzon “Panorama Sport” për dashakeqësi… Pas ndeshjes në Kukës ka një këndvështrim tjetër për gazetën.

– Kategoria Superiore mbylli një tjetër sezon pa një top zyrtar dhe të unifikuar.

– Superiorja, megjithëse viti 2017, ende nuk ka një sponsor zyrtar.

– Takaj akuzon Jeminin për korrupsion dhe Starova bën të njëjtën gjë me Metën, por asnjë investigim nga FSHF-ja.

Vllaznia-Tirana

– Vllaznia dhe Flamurtari “heqin dorë” nga Kupat e Europës që në 5 maj, pa i dhënë asnjë llogari publikut të tyre.

– Tirana, ekipi rekordmen që nuk kish rënë kurrë nga kategoria, zbret dhe fiton Kupën e Shqipërisë duke kaluar Partizanin edhe në këtë kompeticion.

– Shtubina luan në çdo rol me Vllazninë, por humbi ndeshjen e fundit, atë më të rëndësishmen.

– Tirana ka më shumë se një vit pa asnjë fitore në transfertë.

– Bylis merr trajner vetëm për një ndeshje, por as me Devollin nuk e mundi dot Lushnjën.

– I vetmi trajner i huaj që mbijetoi gjithë sezonin ishte një serb: Milinkoviç.

milinkovic

– Për herë të parë, Kukësi në katër vitet e fundit nuk ndërroi trajnerin dhe fitoi titullin.

– Duka shpresonte të merrte 23 vota në UEFA dhe të hynte në Komitetin Ekzekutiv. Mori 25 dhe sërish nuk ia doli.

– Tifozët e Tiranës, ndër më të shkëlqyerit e Superiores, braktisën ekipin që kur Halili bëri pakt me Demin për stadiumin.

– Lojtarë të dehur në ndeshjen Memaliaj-Domosdova, trajnerët e të dyja skuadrave ankohen pas ndeshjes.

– Hamdi Salihi, një nga lojtarët më të shquar të kampionatit në dekadën e fundit, grisi kartonin në ndeshjen me Kukësin dhe e mbylli aventurën në Shqipëri.

Salihi

– Salihi grisi kartonin e kuq, doli nga fusha dhe u fut sërish në lojë.

– Duka pranon se gjyqtarët kanë përcaktuar disa ndeshje me gabimet e tyre.

– Latifi, Lilaj dhe Fukui i ngelën pa shitur Skënderbeut në janar nga aktivizimi me fanellën e Kukësit në Europë.

– Mirel Josa deklaron në Kukës se ndeshja ndaj Kukësit ishte përgatitore për derbin.

– Reza Karimi i Skënderbeut është i detyruar që katër ditë në muaj të paraqitet në Iran për t’u prezantuar në repartin ushtarak.

– Partizani luan ndaj Luftëtarit 5 orë pas Greqi-Kosovë (femra).

– Trazirat në stadium gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu më 30 tetor. Tifozët mjekohen në fushë. Tre muaj më pas tifozja e plagosur emërohet gazetare sportive në TVSH.

partizani skenderbeu1

– Duro deklaron pas mbijetesës se 50% e skuadrës është skarco.

– Lila tallet me priftërinj dhe hoxhallarë dhe në fund i kërkon ndjesë kryepeshkopit të Janinës.

– Ditën që Kukësi mori trofeun e titullit, pësoi edhe humbjen e parë në kampionat, atë ndaj Luftëtarit në javën e fundit.

– Për herë të parë në Shqipëri, një lojtar përfundon në burg. Kristajn Lleshi i Domosdovës dhunoi arbitrin në Tepelenë në një ndeshje pa interes për asnjë ekip. Lleshi qëndroi shtatë ditë në paraburgim.

– Besëlidhja ka dështuar në katër finalet e 6 viteve të fundit për t’u ngjitur në Superiore. Praktikisht, skuadra më pa fat e Kategorisë së Parë…

– Besëlidhja i kishte të garantuara 12 pikë gjatë kampionatit të kaluar. “Derbet” me Shënkollin ishin më shumë se vëllazërore.

– Për herë të parë në Shqipëri u fol për një shumë të konsiderueshme parash për shitjen e një klubi. Elbasani u ble nga anglezët për rreth 1 milion euro, por në fund të kampionatit preku pikën më të ulët në histori duke rënë në Kategorinë e Dytë.

elbasani

– Bylisi ndryshoi pesë trajnerë gjatë kampionatit të kaluar, por sërish nuk arriti të siguronte një biletë për në elitë.

– Ramadan Ndreu drejtoi Kamzën vetëm katër javët e fundit dhe mori meritën e rikthimit të skuadrës në Superiore. Skuadra e drejtuar nga Bledar Devolli për më shumë se 1 vit e gjysmë u largua nga ekipi në momentin më deciziv.

– Për herë të parë, lojtarët e huaj nuk u lejuan me rregullore për të luajtur në Kategorinë e Dytë.

– Presidenti i Mamurrasit, Ded Ndreca, përpara ndeshjes së Kombëtares ndaj Italisë, deklaroi: “Nëse arbitri na penalizon, do hyj në fushë dhe do ta rrah. Kam treguar se e mbaj fjalën, kam eksperiencë në këtë punë”…

ded ndreca

– Disa ditë më parë, sërish presidenti i Mamurrasit, Ded Ndreca sfidoi Armand Dukën duke deklaruar se do të garojë për kreun e FSHF-së vitin e ardhshëm. “Do ta bëj më mirë se ai”, tha Ndreca.

– Pas shumë sezonesh, Besëlidhja nuk kishte më lojtarë serbë në përbërje gjatë kampionatit të kaluar. Lezhjanët krijuan një afeksion të ri me guineasit.

– Lushnja dhe Kamza janë dy ekipet që u ngjitën në Superiore, por asnjëra nuk ka stadium të licencuar.

– Tifozët e Tiranës uzurpojnë fushën, marrin në pyetje lojtarët dhe i gjuajnë me shpulla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"