Fillojnë planet për merkaton e janarit, zbulohen dy mbrojtësit që synon Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2017 | 9:54

Fillojnë planet për merkaton e janarit, zbulohen dy mbrojtësit që synon Partizani

Partizani ka nisur të mendojë që në këto momente për merkaton e janarit, pasi alternativat janë të pakta dhe lojtarët cilësorë kontaktohen nga shumë klube. Dy nga repartet, që të kuqtë janë duke menduar për ta përforcuar, janë mbrojtja dhe sulmi. Por, nëse për ofensivën skuadra e Starovës është duke pritur alternativa nga jashtë vendit, për prapavijën kanë nisur të dalin në skenë edhe emrat e parë.

Fushtar dhe Qarri

Burime pranë klubit kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se stafi teknik i kryeqytetasve pëlqen qendërmbrojtësin e Kamzës, Ivan Fushtar. 28-vjeçari kroat, që ka luajtur edhe më parë në Superiore me Flamurtarin, është një nga dëshirat e të kuqve. Lojtari ka një kontratë me Kamzën, gjë e cila e ndërlikon disi kalimin e tij te Partizani, por më shumë se kaq në garë për të marrë shërbimet e tij është edhe Skënderbeu.

Me sa duket sfida mes dy ekipeve, përveçse në fushën e blertë, është zhvendosur edhe në merkato. Gjithsesi, Partizani shpreson te dëshira e lojtarit për të luajtur dhe jetuar në kryeqytet.

RIKTHIMI

Ndërkohë një tjetër emër që ka dalë në skenë, jo i panjohur për kampin e kuq, është ai i Renato Arapit. Mbrojtësi, që mund të luajë në çdo pozicion të prapavijës, aktualisht është te skuadra e Bolusporit në Kategorinë e Parë turke, ku po luan sezonin e dytë duket se është gati për një rikthim në kryeqytet. Në fakt, Arapi është përmendur si alternativë edhe gjatë merkatos së verës, por me ardhjen e drejtuesve italianë nuk u arrit një rikthim i tij në kampin e kuq dhe futbollisti u kthye në Turqi.

arapi

Por, me rikthimin e Starovës në krye të stolit, Arapi është rikthyer edhe njëherë tjetër në qendër të vëmendjes te Partizani dhe në kampin e kuq, emri i tij ka nisur të përflitet në skuadër. Arapi ka luajtur te Partizani verën e sezonit të shkuar për një periudhë të shkurtër, duke u aktivizuar vetëm në ndeshjet e Europës.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"