FIFA u bllokoi merkaton, Idrizi premton: Prisni datën 21 janar (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 15:40

FIFA u bllokoi merkaton, Idrizi premton: Prisni datën 21 janar (E PLOTË)

Flamurtari është dënuar nga FIFA, por administratori i klubit Sinan Idrizi nuk e beson. Të paktën kështu deklaroi dje për “Panorama Sport” vetë numri një i kuqezinjve, duke theksuar se nuk është njoftuar për një bllokim të merkatos. Madje ai shkoi edhe më tej, duke theksuar se pret të mbërrijnë në Vlorë pesë lojtarë për të përforcuar skuadrën.

Sinan-Idrizi

“Nuk kam asnjë informacion që FIFA ka marrë një vendim të tillë. Nuk na ka njoftuar njeri. Unë jam duke bërë merkato. Dy lojtarë i kemi marrë, pesë të tjerë janë rrugës duke ardhur. FIFA ka rregullat e veta, por nuk di çfarë të them për këtë rast, ne vijojmë të punojmë. Patjetër që kemi detyrime të prapambetura dhe që i njohim ato”, ka thënë fillimisht Idrizi. Më pas ai reagoi ashpër ndaj avokatit të ish-sulmuesit brazilian të Flamurtarit, Danilo Alvesh, duke thënë se po e shantazhon.

idrizi

“Sot (dje) unë kam pasur një telefonatë me një batakçi. Bëhet fjalë për avokatin e Danilo Alveshit. Ai ka hapur fjalë nëpër lokalet e Tiranës që Flamurtarit i janë zbritur 12 pikë, pasi nuk ka paguar dy lojtarë. Me këtë batakçi do të përballemi ligjërisht tashmë. Ai na ka shantazhuar edhe më parë dhe vijon të na shantazhojë”.

Ndërkohë, vlen të theksohet se në fund të vitit 2019, sulmuesi që luajti deri në sezonin e kaluar me Flamurtarin, paralajmëroi se e ka paditur në FIFA klubin vlonjat. Nuk dihet tashmë nëse ka një vendim nga qeveria e futbollit botëror edhe për gjyqin e Danilo Alvesh. Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të bëhet pagesa për të cilën FIFA ka dënuar klubin dhe a do të hiqet dënimi për bllokimin e merkatos.

MERKATO

Kreu i klubit kuqezi, edhe njëherë thekson i vendosur se merkatoja e Flamurtarit nuk është bllokuar. “Nëse i është bllokuar apo jo merkatoja Flamurtarit, prisni dhe shikoni datën 21 janar. Bëni durim dhe shikoni. Unë po pres të vijnë edhe pesë lojtarë të tjerë. Pavarësisht se rregullorja për lojtarët e huaj ka limite, ne do të sjellim edhe të tjerë”, shtoi Idrizi.

Flamurtari-tifozet

I pyetur për prezantimet e tyre dhe për më tepër të trajnerit të ri, i cili nuk është prononcuar asnjëherë që pas ardhjes te Flamurtari, administratori u shpreh: “Stafi teknik dhe lojtarët do të prezantohen bashkë të gjithë në një ditë”.

ERMAL SIKA 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"