FIFA i bllokoi merkaton, Idrizi: Nuk e njoh mbrojtësin rumun, FSHF s’na e konfirmon dënimin dhe do bëjmë përforcime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2020 | 9:35

FIFA i bllokoi merkaton, Idrizi: Nuk e njoh mbrojtësin rumun, FSHF s’na e konfirmon dënimin dhe do bëjmë përforcime

Sinan Idrizi insiston se merkatoja e Flamurtarit nuk është e bllokuar. Një ditë pasi “Panorama Sport” zbuloi vendimet e dhëna nga FIFA për klubin vlonjat dhe Luftëtarin, administratori i kuqezinjve theksoi dje se nuk e njeh lojtarin rumun, Kristian Sirgi, për të cilin është dënuar Flamurtari për të mos regjistruar lojtarë në merkaton aktuale (janar 2021), si dhe për sesionet korrik-gusht 2021 dhe janar 2022. Gjithsesi, përtej faktit se kreu i klubit kërkon ta snobojë këtë situatë kaotike që po shoqëron Flamurtarin, kur pyetet nëse është gjetur ndonjë marrëveshje për pagesën e ish-mbrojtësit rumun, as nuk e pohon dhe as nuk e mohon.Sinan-Idrizi

Ai përsërit se njeh çdo detyrim ndaj lojtarëve. “Unë po punoj për të forcuar skuadrën. Nuk kam konfirmim që është bllokuar merkatoja. Kush e thotë këtë? Isha sot (dje) në FSHF dhe nuk ma konfirmoi njeri që neve si klub na është bllokuar merkatoja. Sa i përket lojtarit që ju i referoheni, unë këtë Sirgin nuk e njoh fare, nuk më kujtohet. Pastaj, se çfarë bëra në darkë unë, arrita apo jo marrëveshje me lojtarin, kjo nuk vlen të thuhet. Këtë lojtar unë nuk e mbaj mend. Ka luajtur dy apo tri ndeshje dhe ka ikur.

Ne jemi në punë dhe po punojmë që të afrojmë lojtarë. Ne jemi në merkato të plotë dhe më 21 apo 22 janar, kur fillon kampionati, Flamurtari do të jetë një ekip i denjë për të vijuar atë fazë të mbetur, që për ne nuk do të jetë luftë a vdekje, por do të jetë për shpirtin dhe karakterin tonë. Me problematikat tona të shumta do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën”, është shprehur fillimisht për gazetën administratori i klubit.

VENDIMI – FIFA ka njoftuar klubin e Flamurtarit për vendimin që më 4 shtator 2019, ndërsa gazeta zbuloi ekskluzivisht edhe dokumentin që i është dërguar njëkohësisht ish-drejtorit të vlonjatëve, Ardi Behari, si dhe FSHF-së. I pyetur nga gazeta se pse është mbajtur i fshehur nga klubi një vendim që ka mbi tre muaj që është marrë dhe i është dërguar në “e-mail” Beharit, Idrizi dha këtë përgjigje: “Ardi Behari ka dy vjet që ka ikur. Ka një shkresë të tillë apo nuk ka një shkresë të tillë, cilët janë faktorët që e kanë ndërtuar apo nuk e kanë ndërtuar këtë gjë, ju prisni dhe shikoni. Marrëdhënia që ne kemi për këtë histori është e thjeshtë, ne jemi në merkato. Për detyrat që kemi ndaj lojtarëve mbajmë përgjegjësinë e shlyerjes së tyre, për të gjithë. Ne do të hyjmë shumë fort në këtë merkato”.sinan idrizi

Ndërkohë, vlen të theksohet se ish-drejtori i klubit dha dorëheqjen nga ky post në fillimin e këtij sezoni. Me sa duket, më 4 shtator, FIFA ka mbajtur korrespodencë me Beharin dhe kjo vërtetohet nga “email”-i që mban emrin dhe mbiemrin e tij. Ndërkohë, në fund të deklaratës së tij, Idrizi paralajmëron se Flamurtari do t’i tregojë muskujt sapo të miratohet ligji për sportin. “Palët kam idenë që janë drejt gjetjes së gjuhës. Problemi është zgjidhur në dijeninë time. Kam qenë në FSHF dhe te Ministria e Financave. Kjo ne na vë në pozitat e punës. Ne si Flamurtar pas këtij ligji do të tregojmë muskujt”, përfundoi kreu i klubit vlonjat.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"