Feston me goleadë ndeshjen e 100-të në pankinën e Interit, Inzagi: Vendi i katërt detyrim, nuk do të dorëzohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2023 | 8:46

Feston me goleadë ndeshjen e 100-të në pankinën e Interit, Inzagi: Vendi i katërt detyrim, nuk do të dorëzohemi

Skuadra i ka bërë ndoshta një nga dhuratat më të bukura të sezonit Simone Inzagit në ndeshjen e 100- të të tij në stolin e Interit.

INZAGI

Djemtë e tij dhuruan spektakël ndaj Veronës, jo vetëm duke dominuar dhe shënuar plot 6 herë, por edhe duke u bërë pronarët e vetëm të vendit të katërt, që momentalisht u siguron kualifikimin e shumëdëshiruar në Champions League. “Detyrim”, e quajti renditjen e Interit mes katër më të mirave trajneri në përfundim të ndeshjes, kur përpara mikrofonave u shpreh: “Interi e ka për detyrë të jetë mes katër më të mirave. Kalendari nuk është aspak i thjeshtë dhe vështirësitë janë të shumta. Do të kemi ndeshje shumë të vështira përpara, por jemi të kënaqur me momentin që po kalojmë”.

47-vjeçari analizoi edhe ndeshjen dhe zgjedhjet e tij, ndërkohë që kamerat e “DAZN” e inkuadruan në përfundim, duke iu drejtuar Korreas e Lukakut, duke i shpjeguar hyrjen e Asllanit.

“Më vjen keq, por do të hyjë në lojë Asllani”, ishin fjalët e trajnerit, që në konferencë u shpreh: “kam mbajtur ‘pykat’ deri në fund, duke pasur parasysh edhe mënyrën si janë stërvitur. Pastaj llogaritë bëhen me të gjitha ndeshjet që kemi në radhë dhe jam shumë i lumtur me mënyrën si më është përgjigjur skuadra. Jam i kënaqur nga të gjithë lojtarët, tani nuk duhet të ndalemi më. Rëndësi ka që kemi gjetur golin që na kishte munguar në ndeshjet e kaluara. Nuk kemi rrugë të mesme me numrin e golave? Jemi në një moment të mirë dhe po e shfrytëzojmë atë. Ishim të jashtëzakonshëm, nuk u dorëzuam ndaj një skuadre që në 2023-shin kishte humbur vetëm ndaj Fiorentinës”.

KALENDARI – Dy ndeshjet e radhës janë Roma në kampionat dhe gjysmëfinalja e parë me Milanin në Champions Legaue dhe trajneri nuk mund t’u shmangej pyetjeve mbi këto dy sfida. “Për 72 orë do të zbresim sërish në fushë ndaj Romës dhe duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë. Nga stafi te djemtë të gjithë janë të përqendruar, por duhet të vazhdojmë kështu për të arritur të gjithë objektivat tanë këtë fundsezoni. Me Milanin kanë qenë gjithmonë ndeshje të ekuilibruara dhe nuk mund të bëhen parashikime, mbi të gjitha që gjykimet ndryshojnë çdo dy-tri ditë në varësi të ndeshjes. Duhet vetëm të vazhdojmë kështu”, përfundoi Inzagi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"