“Festoj kur të jemi matematikisht kampionë”, flet Egbo: Ëndërroj të fitoj dy trofe, ju tregoj si i motivova lojtarët në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 10:13

“Festoj kur të jemi matematikisht kampionë”, flet Egbo: Ëndërroj të fitoj dy trofe, ju tregoj si i motivova lojtarët në Korçë

Emanuel Egbo është i bindur që Tirana i ka mundësitë për të fituar Kupën e Shqipërisë dhe titullin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i bardhebluve ka zbërthyer kundërshtarin e sotëm në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Thotë se fitimi i dy trofeve është privilegj, ndërsa është gati edhe për përballjen me Kukësin.Emanuel Egbo

Në Korçë keni zhvilluar një sfidë me dy fytyra. Përse ndodhi një gjë e tillë?

Nuk ishim në formën e duhur dhe të karikuar në pjesën e parë. Në dhomat e zhveshjes u thashë lojtarëve: “Çuna, jam i bindur që ju mund ta ktheni rezultatin” dhe ia dolëm.

Bylisi, një ndeshje që gjithmonë i ka sjellë jo pak probleme Tiranës. Kujtojmë humbjen fazën e parë?

Normalisht është një ndeshje e vështirë. Edhe ne, edhe ata e dëshirojnë këtë finale. E kemi vlerësuar maksimalisht këtë takim. Bylisi është skuadër që u ka hapur probleme shumë skuadrave në kampionat dhe kanë lojtarë që japin maksimumin në fushë. E respektojmë.

Keni menduar për skuadrën që do të luajë kundër Bylisit?

Mendoj që ne kemi dy ekipe që mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin sa herë që kërkojmë të kemi rrotacion. Për sfidën e nesërme (sotme) mund të them se kam një plan të pushojnë disa. Gjithsesi, ky është vetëm plan, sepse do ta vendosim vetëm përpara sfidës me Bylisin. Në shumë takime kanë luajtur një numër i caktuar lojtarësh. Nuk do të thotë që lojtarët që kanë marrë pak minuta të mos jenë titullarë. Çdo lojtar që është pjesë e këtij ekipi, duhet të jetë i gatshëm për çdo moment.

Fokusi juaj është kampionati dhe ndoshta ju do të ruani fuqitë për sfidën me Kukësin?

Është ndeshje Kupe, në kampionat është ndryshe. Ndeshja e parë e Kupës luhet në shtëpinë e tyre, pres që Bylisi të shfaqet agresiv në lojë dhe të jetë i karikuar maksimalisht për ndeshjen. Filozofia ime është që të shoh ndeshjen e radhës. Bylisi është sfida që unë dhe skuadra jemi të fokusuar. Për Kukësin kemi shumë kohë. Unë e konsideroj privilegj, nëse fitojmë titullin dhe Kupën e Shqipërisë.egbo

Do ta mbyllni çështjen e kualifikimit që në takimin e parë?

Do të bëjmë maksimumin që në takimin e parë. Nëse fitojmë, do të jetë diçka më e lehtë në sfidën e dytë.

Pas ndeshjes në Korçë pati nga ato rrëmujat e vogla?

Janë gjëra normale që ndodhin kur luan dhe je me nervat e lojës. Gjithçka mbetet brenda familjes. Nuk ka ndëshkime, por nuk po e kuptoj se për çfarë e keni fjalën. Në Korçë ne kemi bërë një ndeshje të madhe që ka vendosur shumë për titullin kampion. Sigurimi i titullit do të bëhet ndaj Kukësit ose Partizanit. Të gjithë po bëjnë llogari të tilla? Nuk e di, nesër (sot) kemi ndeshje me Bylisin. Pas kësaj ndeshjeje do të mendojmë për Kukësin.

A ka racizëm ndaj Emanuel Egbosë? Ju kanë dalë shumë vetë në krah për fjalët që keni thënë?

Duhet të sqaroj diçka. Ndoshta fjalët e mia janë keqkuptuar. Nëse unë them që nuk ka racizëm në Shqipëri, atëherë do të gënjej. Është mashtrim. E vërteta është që në çdo vend të botës ekziston racizmi. Po bëj një pyetje: A ka njerëz të mirë dhe njerëz të këqij në gjithë botën? Po, në Shqipëri ka të mirë dhe të këqij. Sigurisht që po. Nëse ka të mirë dhe të këqij, ka edhe racizëm. Unë nuk kam qenë për shumë kohë shënjestër e racizmit.

E keni përjetuar?

Sigurisht që po, por jo në ekstrem. Jam sulmuar në disa nivele. Nëse flasim për masën, kjo është diçka tjetër.

Nëse fitoni me Kukësin, e konsideroni kampionatin të mbyllur?

Nëse fitojmë me Kukësin, por jo 3-0, janë edhe 12 pikë në lojë. Unë festoj kur të thotë matematika: Tirana është kampione.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"