Festoi 60-vjetorin, Maradona analizon situatën e Mesit: E dija që Leo donte të ikte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2020 | 9:16

Festoi 60-vjetorin, Maradona analizon situatën e Mesit: E dija që Leo donte të ikte

Diego Armando Maradona festoi ditën e djeshme 60-vjetorin e lindjes. Festoi në rezidencën e tij në La Plata, pranë fushës stërvitore të ekipit të tij. I vetmuar. Nuk ishte kjo festa që kishte ëndërruar. Ëndërronte të ishte pranë fëmijëve të tij: Dalma, Xhanina, Diego Xhuniior, Jana dhe Diego Fernando. Por nuk është e mundur për shkak të situatës alarmante nga “COVID”.

Maradona 60 vjetori

Për më tepër, një nga njerëzit që i qëndron parë ka pasur simptoma dhe Diego duhet të qëndrojë i izoluar. Një person që gjithmonë ka qenë i lirë dhe ka bërë çfarë të donte me jetën e tij. “Ëndrra ime është që të luaj një Botëror dhe ta fitoj atë”, thoshte Maradona kur ishte fëmijë. Ëndërr që e bëri realitet dhe ishte protagonist. Legjenda që frymëzoi shumë breza me radhë dhe u bë një nga më të mirët e historisë së këtij sporti.

Ai ka folur për mediat gjatë këtyre ditëve dhe ato spanjollet e kanë pyetur për Leo Mesin, për të cilin thotë se e dinte që historia me Barcelonën do të përfundonte e tillë. “E dija që historia e Mesit me Barcelonën nuk do të përfundonte mirë dhe që Leo do të largohej. Edhe mua më ndodhi e njëjta gjë. Barcelona nuk është një klub shumë i lehtë. Ai ka qëndruar për shumë vite në atë klub dhe nuk e kanë trajtuar ashtu siç e meritonte”, tha Kapelo.

MOMENT I VËSHTIRË – “Ai i ka dhënë gjithçka Barcelonës duke e ngritur në nivelet më të larta të historisë së saj. Një ditë donte të ndryshonte dhe të luante në një ekip tjetër, por nuk pranuan. Nuk është e lehtë që të largohesh nga një klub i madh, ku ke një kontratë dhe njerëzit të duan. Unë te Napoli nuk e bëra”.

FUTBOLLI – “Isha dhe jam shumë i lumtur. Futbolli më ka dhënë gjithçka që kam, më shumë nga sa kisha imagjinuar. Nëse do të isha shumë i fiksuar dhe t’i bëja gjërat siç duhet mund të kisha luajtur edhe për disa vite të tjera. Por tani është e shkuar dhe ndihem mirë. E vetmja gjë për të cilën ankohem është fakti që nuk kam prindërit e mi”.

DËSHIRAT – “Shpresoj që kjo pandemi të përfundojë sa më shpejt dhe që Argjentina ime të shikojë përpara. Dua që të gjithë argjentinasit të jenë mirë sepse kemi një vend të bukur dhe besoj që presidenti ynë do të na nxjerrë nga kjo situatë e vështirë”.

FRIKË – “Kjo është më e keqja që mund të na ndodhë. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë dhe Amerika e Jugut është tronditur nga kjo situatë. Shpresoj që të përfundojë shumë shpejt sepse njerëzit janë trembur dhe nuk po e kalojnë siç duhet. Shumë njerëz janë pa punë dhe nuk kanë ushqim”.

FALËNDERIME – “Do të jem përjetësisht mirënjohës për njerëzit. Çdo ditë më surprizojnë. Ajo që pashë në rikthimin e futbollit argjentinas ishte magjike. Kisha qëndruar shumë vite larg Argjentinës dhe pyesja veten nëse njerëzit vazhdonin të më donin, por e vërteta është që më duan dhe unë i dua”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"