Festoi 35 vjetorin, kapiteni Agolli: 11 tetori në Jervan si lindje e dytë, ja dhurata më e veçantë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2017 | 23:50

Festoi 35 vjetorin, kapiteni Agolli: 11 tetori në Jervan si lindje e dytë, ja dhurata më e veçantë

Festë me shoqërinë, familjen? Birra dhe alkool për ditëlindje? Ndodh që ta festosh atë edhe në… avion. Ky është rasti i Agollit, të cilit iu desh të udhë- tonte drejt Azerbajxhanit, megjithëse ishte dita e tij e lindjes.

agolli

Dje, Ansi Agolli ka festuar ditëlindjen e tij të 35-të. I kontaktuar nga “Panorama Sport” bashkë me urimin për këtë ditë të veçantë, kapiteni i Kombëtares tregon si e kaloi ditën e veçantë, duke u rrëfyer edhe me humorin që e karakterizon. “Dhurata më e veçantë? Udhëtimi në avion”.

Ansi Agolli, megjithëse ka lënë pas 35 vite jetë, thotë se përkushtimi, puna e madhe dhe forma momentale fizike e bëjnë që të mos e mendojë largimin. “Futbolli është një sport i së tashmes. Se çfarë ndodh më vonë, nuk i dihet kurrë”, tregon këmbëmajti i kuqezinjve si “duke marrë krahun për të dhënë krosin perfekt në fundore”.

Agolli

Si ishte ditëlindja e 35-të?

Mund të kishte qenë akoma edhe më bukur nëse do të kishim marrë një rezultat pozitiv kundër Italisë. Në 12 vitet e fundit, ditëlindja më ka qëlluar gjithmonë afër ndeshjeve me ekipin kombëtar, madje disa herë ka rastisur edhe në ditën e ndeshjes.

Dhurata më e veçantë që keni marrë sot (dje)?

Udhëtimi në avion (qesh…). Ka qenë ditë që e kam kaluar thuajse gjatë gjithë kohës në avion, pasi m’u desh që të vija në Azerbajxhan. Më pas, stërvitje dhe programi i zakonshëm me skuadrën.

Cila ka qenë ditëlindja më e bukur që keni festuar?

Ajo para dy vitesh në Armeni, pa diskutim! 11 tetori në Jerevan ishte njësoj sikur të lindësh për së dyti herë.

Së fundmi, ju është përmendur shpesh numri 35. Sa ju bezdis kjo gjë?

Mosha më është përmendur që kur mbusha 30 dhe jo më tani (qesh…). Deri diku është normale, pasi çdo njeri, kur sheh një futbollist që i kalon të 30-at, bëhet pak skeptik për atë që ky lojtar ka për të dhënë akoma. Megjithatë, duke ulur kokën dhe punuar me profesionalizëm, jam munduar të mos kursehem asnjëherë në fushë, me klubin dhe Kombëtaren. Kush ka qenë trajneri më i vështirë për ju në këto vite? Ka qenë një trajner ukrainas kur isha pjesë e skuadrës së Krivbasit. Ai nuk të jepte kurrë atë që meritoje.

Panuçi e tha me batutë që “jeni plakur”. Tha edhe që për Europianin do të jeni 37 vjeç. Do qëndroni edhe një raund tjetër kualifikuesesh?

Futbolli është një sport i së tashmes. Se çfarë ndodh më vonë, nuk i dihet kurrë. Trajneri mendon për skuadrën, për të ardhmen e saj, për objektivat e saj dhe ajo që ai ka thënë është më se normale. Për sa kohë do të më jepet mundë- sia që të kontribuoj me ekipin kombëtar, do ta bëj me krenarinë më të madhe. Për momentin jam mirë fizikisht, se çfarë ndodh më vonë, nuk e di.

Spanja apo Italia, si kampione bote. Si ishte të luaje kundër tyre?

U ndjeva me fat. Besoj siç do të ndihej çdo shqiptar. Sa herë që e vesh fanellën e Kombëtares ndihem njeriu më i lumtur në botë. Përpos kësaj, të luash kundër këtyre skuadrave, eksperienca që fiton është mjaft e madhe si për mua, ashtu edhe për vetë skuadrën dhe shokët. Me rëndësi është që në këto dy ndeshje, në asnjë moment nuk jemi ndierë inferiorë. Përkundrazi, kemi guxuar më shumë se kurdoherë.

Si është Agolli gjatë jetës së tij, merr apo jep më së shumti dhurata?

Në jetën e përditshme më shumë jap sesa marr. Ndihem më mirë kur jap.

Cila është dhurata më e veçantë që keni marrë?

Një palë këpucë futbolli që m’i bleu bashkëshortja ime në Amerikë. Janë model i vjetër që i kam fiksim. I kam kërkuar kudo dhe nuk i gjeja.

Cilat janë tri ndeshjet speciale të Agollit me Kombëtaren?

E para, ndeshja debutuese e luajtur në vitin 2005 kundër Kazakistanit. E dyta, Shqipëri-Bjellorusi në “Qemal Stafa”, 1-0. E treta, jo për nga rëndësia sesa nga periudha kohore, kundër Rumanisë në Europian.

Duke u kthyer te ndeshja e parë me fanellën e Kombëtares, e kishit menduar ndonjëherë se mund të arrinit të luanit kaq gjatë?

Që do të më duhej një punë mjaft e madhe për të pasur vazhdimësi, e kisha menduar. Por që do të luaja kaq gjatë, jo!

Jeni ndër të fundit lojtarë të kampionatit shqiptar që u keni rezistuar niveleve europiane kaq gjatë…

Nuk më rezulton që jam i vetmi.

Pse nuk përsëritet një “Agoll” nga Shqipëria, nga skuadrat shqiptare?

Për momentin në Kombëtare ka disa futbollistë që janë rritur dhe kanë dalë nga Shqipëria dhe kampionati shqiptar: Roshi, Sadiku, Cikalleshi, Lila, Balaj apo edhe më të rinjtë si Latifi për shembull. Mendoj se kampionati shqiptar ka prodhim.

A duhet të ketë më shumë?

As që diskutohet se po, duhet të ketë! Rëndësi ka që lojtarët, të cilët luajnë në Shqipëri, të mos kënaqen me pak, por të kërkojnë më shumë nga vetja e tyre.

Në momentet e shpërthimit keni fituar trofe me Tiranën. Tani, e shihni në të Dytën. A e ndiqni më dhe si është ta shihni në atë kategori?

Sigurisht, e ndjek! Uroj me gjithë zemër të rikthehet ku e ka vendin. Arritjet më të mëdha në karrierë deri tani? Kualifikimi në Europian dhe pjesëmarrja në Champions me klubin.

Pengu më i madh?

Pfff… Nuk kam ndonjë peng madhor, pasi mosplotësime të momentit mund të ketë shumë të tillë.

Olsi Tujani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"