Festival golash në miqësore, Laçi triumfon ndaj Tërbunit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2017 | 11:21

Festival golash në miqësore, Laçi triumfon ndaj Tërbunit

Në kuadër të përgatitjeve për startin e fazës së dytë të kampionatit, Laçi ka zhvilluar dje një ndeshje miqësore me Tërbunin, skuadër që militon në Kategorinë e Parë. Takimi u zhvillua në kompleksin e FSHF-së në Kamzë dhe që në përfundim u mbyll me fitoren e kurbinasve me rezultat 5-3. Të dy trajnerët, Gentian Mezani dhe Kreshnik Krepi, e nisën takimin duke u besuar lojtarëve më të mirë që kanë në dispozicion, ndërsa në pjesën e dytë aktivizuan edhe futbollistë e tjerë.

laci

Ndeshja miqësore, e cila përfundoi me festival golash, u ka vlejtur të dy trajnerëve duke ditur se këtë fundjavë nuk ka aktivitete zyrtare. Takimi nisi i vrullshëm, pasi në 12 minuta u shënuan tre gola. Në minutën e 6-të, Ansi Nika shënon golin e parë për laçianët, por pukjanët nuk dorëzohen dhe surprizojnë me përmbysjen që vjen në kuadrin e dy minutave. Në të 10-ën, Saliaj barazon shifrat për Tërbunin, që pas dy minutash shënon golin e dytë me Hasën.

laci terbuni

Takimi ishte i hapur dhe me ritëm nga të dy ekipet. Trajneri Krepi ishte më kërkues ndaj të tijve, me shpresën që motivimi ndaj një ekipi të Superiores do t’i vlente për të krijuar vetëbesim për ndeshjen e radhës në kampionat. Në minutën e 27-të, Uzuni barazon shifrat në 2-2 dhe me këtë rezultat mbyllen 45 minuta e para. Trajneri Krepi u besoi të njëjtët lojtarëve deri në minutën 60-të dhe, më pas, u dha mundësinë lojtarëve të tjerë, që kanë pasur më pak hapësira në kampionat.

Ndërrimet ndikuan te skuadra pukjane, e cila nuk arriti t’i bënte ballë plotësisht Laçit, ndonëse kaloi në avantazh në minutën e 73-të me Blinishtën. Në 11 minutat e fundit vjen shpërthimi i kurbinasve, që shënojnë tri herë. Në minutën e 79-të, Lushkja barazon shifrat në 3-3. Në minutën e 87-të, Xhixha shënon golin e katërt dhe tri minuta më pas Sefgjini plotëson “shuplakën” e kurbinasve ndaj Tërbunit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"