Festë me birra dhe verë pas fitores në Shkodër, në Ballsh ëndërrojnë trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2019 | 18:17

Festë me birra dhe verë pas fitores në Shkodër, në Ballsh ëndërrojnë trofe

Fitorja në Shkodër ka rritur dukshëm adrenalinën te Bylisi, skuadra që presidenti Besnik Kapllanaj ka vite që investon për ta kthyer në klub me baza të shëndosha.

Bylis

Ballshiotët këtë sezon janë duke bërë mirë në kampionat, pasi kanë një grup lojtarësh që luftojnë shumë. Në fakt, një meritë të madhe ka trajneri Beljko Dovedan dhe stafi i tij, e padyshim lojtarët, për ata të cilët që nga muaji prill ka menduar Kapllanaj. Bylisi fitoi në Shkodër dhe tashmë e sheh veten në vendin e dytë.

Tri pikët në “Loro Boriçi” ishin një konfirmim i forcës së Bylisit dhe presidenti Kapllanaj, bashkë me të vëllanë e tij Agronin, kanë duartrokitur ekipin nga tribuna pas triumfit ndaj Vllaznisë.

DARKA DHE BATUTAT

Menjëherë pas ndeshjes, presidenti Kapllanaj ka hyrë në dhomën e ekipit dhe ka përgëzuar lojtarët e stafin. “Hallall djema! Tani keni të drejtën për ta ‘djegur’”. Pas kësaj, skuadra mori rrugën në një nga resortet e njohura në Fishtë të Lezhës. Ishte një darkë surprizuese për ekipin në një nga restorantet më të dëgjuara të zonës veriore. Me tavolinat e gjetura të shtruara, presidenti Kapllanaj ka uruar trajnerin dhe skuadrën sipas traditës mallakastriote, ndërsa nuk kanë munguar edhe ngacmimet në distancë.

44

“President, po premio, para apo pas Korçës? Tani jemi për Europë”, ishin ngacmimet e lojtarëve. Kapllanaj nuk rri pa u kujdesur për çdo detaj, në mënyrë që ekipit të mos iu mungojë asgjë. “Sot iu takon të pini ndonjë gotë verë apo birrë të mirë. E keni merituar. Europa?! Unë e dua më shumë se ju, avash, avash, çdo ndeshje si të radhës”, ka thënë presidenti para skuadrës.

Ndërsa kapiteni Murataj, një nga lojtarët vendës, nis të ngrejë dolli, që nga presidenti e të tërë me radhë! Ndërkohë që Bylisi ka qëndruar për dy orë, nuk kanë munguar edhe urimet nga turistë apo banorë të zonës. Më pas, skuadra është nisur drejt Ballshit, si zakonisht, pas mesnate është akomoduar në kompleksin “Gjanica”, aty ku kanë nisur grumbullimin dhe tashmë të gjithë e kanë mendjen vetëm te Skënderbeu… Sigurisht si një grup solid, për të synuar fitoren e radhës… Ky është sezoni i Bylisit dhe në Ballsh, në çdo tavolinë, sikur kanë harruar pak edhe hallet e pagave të pamarra nga Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës. Tashmë të gjithë krenohen me Bylisin, jo qytetin antik, por skuadrën e futbollit që po argëton me lojë, gola dhe rezultate.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"