Festat në disko e më pas përulja, “Ninxha” magjeps Interin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2018 | 9:28

Festat në disko e më pas përulja, “Ninxha” magjeps Interin

Nevojitej një “Ninxha” për t’i siguruar Interit fitoren e parë sezonale. Debutim i Naingolanin dhe sukses i skuadrës së Spaletit, gjithçka pas vetëm një pike të marrë në dy javët e para dhe vërshëllimat, me të cilat “San Siro” përcolli barazimin ndaj Torinos. Belgu zbriti në fushë pas 43 ditësh pa “beteja”: vetëm stërvitje veçmas grupit, i vetëm në “Appiano Gentile” për të rikuperuar formën. Disa transferta për të krijuar raportin me grupin, disa momente më shumë të kaluara me vajzat Ajsha e Mejli dhe polemikat për natën në diskotekë me Koronën. Por, ky është Naingolan.

raxha

Dhe Spaleti e pranon ashtu si është. Mbi të gjitha pas të shtunës, sepse pa golin e tij do ishte e vështirë të thyhej një Bolonjë “e mbyllur” në mbrojtje. Skuadra e Inzagit, për herë të parë në historinë e klubit kuqeblu, mbetet pa gol pas tri javëve të para të Serisë A, një paradoks për një skuadër e drejtuar nga një ish-bomber që gjatë karrierës së tij ka shënuar plot 275.

“VIKTIMA” BOLONJA – Ndërsa Raxha ia doli, pas 66′: asist i Politanos, kontroll në lëvizje dhe e djathtë precize (fluturimthi) për të mposhtur Skorupskin. Gjithçka e shoqëruar nga përulja poshtë sektorit të miqve të mbushur nga tifozëria e tij e re. Si një “samurai”, sa për të qëndruar në argument. Është goli i tij i katërt kundër Bolonjës, viktima e tij e preferuar pas… Interit: ironi e fatit, diçka sa e çuditshme po aq sa interesante.

ASPAK I LODHUR – Të parin prej tyre e kishte shënuar kur vishte ende fanellën e Kaljarit: ishte sezoni 2010-’11, java e nëntë e kampionatit dhe mesfushori shënon golin e parë në Serinë A me një të djathtë të bukur fluturimthi. Me Romën, “muzika” nuk ndryshon: sezoni 2013-’14, java numër 25 dhe Raxha shënon të parin me verdhekuqtë. Pra, fanella kuqeblu, kur e sheh si kundërshtare, i sjell fat. Dhe koha duket se nuk është ndalur: belgu u rikthye në fushë të shtunën pas diçka më shumë se 100′ të luajtura si “fantazist” (e madje me goditjen e parë në portë si zikaltër).

naingolan

Mes Luganos e Sionit, në korrik, përpara “stop”-it në kofshën e majtë. Kishte kaluar një muaj e gjysmë: i lodhur? pa frymë? Aspak. Përkundrazi: me vetëm 50 për qind të formës së tij optimale (fjalë të stafit zikaltër) vrapoi, u pozicionua në mënyrë perfekte për të diktuar pasimin, shënoi pa lënë topin të binte në tokë. E në fund pati frymë edhe për t’u përkulur përpara tifozëve.

“DËMTIM? SHPIKJE…” – Në një mënyrë ose në tjetrën, Naingolan është gjithmonë në qendër të polemikave. E fundit ka lindur dje. Dhe, nga vetë lojtari, është mbyllur po dje… Lidhet me kushtet fizike: belgu kërkoi zëvendësimin në Bolonjë gjatë pjesës së dytë për shkak të një shqetësimi në pjesën e pasme të kofshës, aq sa flitet se stafi mjekësor ka programuar për ditën e martë një kontroll për të përcaktuar entitetin e problemit. Raxha, megjithatë, në “Twitter” ka minimizuar zhurmën:

“Probleme në kofshë? Është shqetësuese? E pabesueshme çfarë shpikin…”. Kontrolli, në fakt, sipas stafit mjekësor zikaltër do jetë vetëm një masë sigurie. Me pauzën e kampionatit përpara (gjithçka rinis më 16 shtator) edhe dëmet e vogla muskulore mund të menaxhohen me qetësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"