Festa e parë në 2020-ën për Totenhemin, por lojtarët janë kundër Murinjos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 12:23

Festa e parë në 2020-ën për Totenhemin, por lojtarët janë kundër Murinjos

Totenhemi fitoi ndeshjen e parë të Premier Ligës këtë vit kalendarik, duke mposhtur me vështirësi Noruiçin e vendit të fundit. “Spërsat” u dhanë fund 3 ndeshjeve pa shënuar gjatë 2020-ës, përpara se Dele Ali të zhbllokonte rezultatin në minutën e 38-të falë një krosimi të Serzh Oriesë. 

totenhem

 

Por “Kanarinat” barazuan rezultatin kur Rajan Sesenjon pengoi Maks Arons në zonë dhe Temu Puki mposhti kapitenin Loris (i rikthyer tre muaj pas dëmtimit në shpatull) në minutën e 70-të. Puki dhe Kantuell patën edhe rastet për të shokuar skuadrën e Zhoze Murinjos, por nuk arritën të tregohen të saktë përpara porte dhe Totenhemi arkivoi fitoren në minutën e 79-të me Son.

Krizë me trajnerin – Fitorja e parë në Premier Ligë që kur mundën Brajtonin më 26 dhjetor, i siguroi Totenhemit ngjitjen në vendin e 6-të në klasifikim, me pikë të barabarta me Mançester Junajtid. Por në dhomat e zhveshjes vazhdon të mos ketë qetësi. Pas sherrit me tone të larta të trajnerit Murinjo me Deni Rouz për lënien jashtë skuadre në ndeshjen me Uotfordin, “The Sun” zbulon se ka një krizë më të thellë mes teknikut portugez dhe futbollistëve të tij.

Mourinho-Rose

Lojtarët janë të pakënaqur me taktikat e trajnerit, totalisht të ndryshme nga ato të Mauricio Poçetinos, seancat stërvitore ku përdoret topi i gjatë dhe kritikat publike që ai i ka bërë blerjes së kësaj vere, Tangui Ndombele. Dhe sikur të mos mjaftojnë rezultatet, retë e zeza duket se po afrohen më shpejt seç ishte parashikuar për “Specialin”, vetëm dy muaj pasi zëvendësoi teknikun argjentinas.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"