Fernandez: Luftëtari do të mbështetet te dyshja Abazaj-Bregu, të paktën kështu më është thënë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2017 | 13:50

Fernandez: Luftëtari do të mbështetet te dyshja Abazaj-Bregu, të paktën kështu më është thënë…

Daniel Fernandez nuk bën premtime, por beson se Luftëtari do të vazhdojë ecurinë pozitive të nisur një vit më parë, ndoshta edhe duke u përmirësuar. Trajneri i skuadrës gjirokastrite flet në “Panorama Sport” për merkaton dhe fillimin e kampionatit. Ai premton se bluzinjtë do të luftojnë në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë.

Daniel-Fernandez-658x370

Jeni i kënaqur me ekipin pas 10 ditëve stërvitje në Greqi?

Jemi shumë të kënaqur me punën e bërë në Greqi dhe shpresojmë që ta nisim kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme. Lojtarët kanë bërë një punë të shkëlqyer duke qenë në dispozicionin tim që prej ditës së parë me Luftëtarin.

Në çfarë gjendjeje e keni gjetur skuadrën nga ana fizike dhe a e ka kapur ritmin, apo duhet kohë për të qenë atje ku ju dëshironi?

Jam duke e njohur shumë mirë skuadrën sepse po punoj ditë pas dite në nivelin individual dhe atë kolektiv. Në stërvitjet që kemi zhvilluar dhe në ndeshjet miqësore deri tani, kam marrë sinjale pozitive, por kam kuptuar edhe ku duhet të punojmë që të korrigjojmë gabimet e bëra. Do të luftojmë si në kampionat, ashtu edhe në Kupë.

Jeni i kënaqur me merkaton?

Merkato tashmë është e mbyllur dhe do të punojmë me lojtarët që kam në skuadër. Mendoj se nuk do të ketë të reja apo afrime në ditët e mbetura. Luftëtari do të jetë ky.

Luftetari

Çfarë të rejash do të sjellin lojtarët e afruar te Luftëtari?

I dimë dhe i njohim mirë karakteristikat e këtyre lojtarëve dhe për këtë fakt ata janë me ne. Po përshtaten mjaft mirë me grupin dhe kjo është shumë vendimtare për punën tonë. E rëndësishme është që ne të bëjmë diferencën të gjithë si skuadër dhe këta lojtarë individualë të na ndihmojnë për t’u paraqitur sa më mirë.

Ka diçka që ju shqetëson përpara fillimit të kampionatit?

Nuk kam asnjë shqetësim. Them gjithmonë që duhet të shohim gjërat pozitive, sepse ato sjellin frymë të mirë në skuadër dhe të japin besim për të punuar me qetësi përpara nisjes së sezonit.

Cili është objektivi i Luftëtarit në këtë sezon, keni diçka për t’u premtuar tifozëve?

Erdhëm në klub me ide të qarta dhe me objektiva për të punuar dhe për ta mbajtur Luftëtarin në nivelin e sezonit të kaluar. Të bësh premtime nuk është aspak e lehtë, por ne do të punojmë javë pas jave me këmbë në tokë për të shkuar sa më larg. Duhet t’i luajmë të gjitha ndeshjet si të jenë finale dhe të bëjmë krenarë tifozët tanë.

Në sezonin e kaluar, skuadra shënonte shumë, por edhe pësonte…

I dimë të gjitha statistikat e vitit të kaluar dhe do të punojmë për t’i përmirësuar në këtë sezon të gjitha aspektet. Kemi marrë lojtarë që do të mbushin hapësirat ku kishim nevojë.

bregu abazaj

Çfarë do të thotë për Luftëtarin qëndrimi i Abazajt dhe i Bregut?

Është folur shumë për ta gjatë kësaj kohe në merkato, por ne do të vazhdojmë të mbështetemi tek ata në këtë sezon. Të paktën kështu më është thënë dhe unë duhet ta besoj këtë gjë.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"