Fenomeni tregon vështirësitë për të arritur majat: E kam filluar si portier, Zizu më magjepsi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2018 | 23:03

Fenomeni tregon vështirësitë për të arritur majat: E kam filluar si portier, Zizu më magjepsi

“Fenomeni” Ronaldo pranon se aventura e tij me Realin e Madridit ishte më e bukura në karrierë. Sulmuesi brazilian tregon vështirësinë që ka pasur për të arritur majat, por edhe faktin që e ka nisur karrierën si portier.

“Ajo epokë me Realin ishte e pabesueshme. Kalova shumë mirë aty, sidomos në stërvitje. Kur shihja lojtarë si Zidan mrekullohesha. Ne argëtoheshim shumë në çdo aspekt, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së lojës”, thotë fillimisht legjenda braziliane. Pavarësisht vlerësimeve maksimale që bën për Zizunë, ai zgjedh Gutin si një nga lojtarët më inteligjentë dhe të talentuar të grupit.

ronaldo fenomeni

“Guti ishte fantastik. Kishte një vizion të paimagjinueshëm. Nëse të shikonte, ta pasonte topin në një zonë ku nuk kishte asnjë kundërshtar. Por në epokën tonë kishte shumë presion. Ndoshta për këtë fakt nuk arritëm të shkëlqenim dhe të fitonim trofe. Në ditët e sotme gjërat kanë ndryshuar shumë. Reali dhe Barcelona rivalizojnë njëri-tjetrin, por pjesa tjetër janë shumë larg”, vazhdon më tej “Fenomeni”.

Ish-sulmuesi pushtoi botën, por e nisi aventurën në futboll si portier. “Ndoshta nuk mund të isha bërë futbollist fare sepse prindërit e mi nuk kishin para për të paguar biletën e autobusit. Por shkova në provë në një tjetër skuadër dhe e nisa si portier. Më vonë fillova të luaja në mesfushë dhe përfundova në sulm. Aty ishte roli im ideal dhe këtë e tregova me vepra”, thotë duke qeshur. Por, më tej flet edhe për aventurën tek Interi. “Trupi im filloi të ndryshonte shumë shpejt kur erdha në Europë. Por, te zikaltrit kuptova që kisha një forcë të madhe fizike. Pavarësisht dëmtimit u rikuperova dhe fillova të luaja”, përfundon Ronaldo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"