“Femrat e Vllaznisë, e mundin ekipin tim të meshkujve”, Duka tregon bisedën me presidentin e klubit të Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2020 | 21:17

“Femrat e Vllaznisë, e mundin ekipin tim të meshkujve”, Duka tregon bisedën me presidentin e klubit të Kategorisë së Parë

Presidenti Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i pranishëm në “Elbasan Arena” në finalen e Kupës së Shqipërisë, në futbollin e femrave, ku Vllaznia triumfoi me rezultatin 4-0 ndaj Apolonisë. Në prononcimin pas ndeshjes për RTSH, Duka zbuloi edhe batutën që i kishte thënë një president i një klubi të meshkujve të Kategorisë së Parë:

Duka

“Ndeshje e bukur, madje në tribunë isha me një president të ekipit të meshkujve të Kategorisë së Parë dhe më tha që: “Këto femrat e Vllaznisë e rrahin ekipin tim të meshkujve”.

Niveli i futbollit të femrave në Shqipëri është rritur shumë, kuptohet që Apolonia dhe Vllaznia, janë disi më të shkëputura, në nivel dhe pikë. Bëjnë një futboll të bukur dhe jo me shumë diferenca me futbollin Europian. Vllaznia ka bërë një kompeticion të mirë dhe në Champions League dhe besoj që edhe këtë vit do të ketë të njëjtën gjë.

Ne i kemi kushtuar goxha vëmendje dhe kemi disa projekte për futbollin e e femrave. Në sezonin e ardhshëm do të miratojmë një buxhet afro 1 milionë euro, për të miratuar direkt, futbollistet, trajnerët, specialist futbolli, për t’i bërë sa më shumë të interesuara. Do vazhdojmë ta mbështesim këtë futboll, deri sa të kthehet në një industri që të mbajë veten si futbolli i meshkujve. Jam shumë i gëzuar me këtë finalen nga niveli sportiv, por aspak i gëzuar që ishte pa spektator. Uroj të kthehemi në futbollin normal”, u shpreh Duka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"