Fëmijëria mes drogës dhe armëve, rrëfimi emocionues i Felipe Melos: 95% e shokëve s’jetojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2020 | 23:45

Fëmijëria mes drogës dhe armëve, rrëfimi emocionues i Felipe Melos: 95% e shokëve s’jetojnë

Në fushën e lojës është i egër, por jashtë saj një njeri pozitiv. Një njeri që në fëmijërinë e tij refuzoi armët dhe drogën për t’ju dedikuar futbollit. Felipe Melo rrëfen jetën e tij për mediat argjentinase dhe zgjedh Mesin përpara Ronaldos.

Felipe Melo

Mesi më i miri në botë? “Është më i miri i historisë. Unë nuk mund të them asgjë për Pelenë sepse nuk e kam parë të luajë. Nga Maradona kujtoj Botërorin e vitit 1990 kur fituan kundër Brazilit me golin e Kanixhës. Në Brazil njerëzit thonë se Ziko ka qenë më i miri nga të gjithë, por unë e kam parë vetëm në ndeshjen e lamtumirës në Marakana. Mund të them se Pele dhe Maradona kanë qenë fenomenalë për mua.

Kam parë Leo Mesin të luajë dhe është i jashtëzakonshëm. Më i mirë se Kristiano. Ai mund të shënojë 5 gola në një ndeshje, por Messi përveçse shënon 5 gola, ndihmon shokët e skuadrës të shënojnë. Kjo do të thotë se Leo është më i kompletuar”.

Markimi ndaj Mesit- “Ai është një lojtar unik. Kur me kombëtaren e Brazilit luanim kundër tij thoshim: Do ta godasim nga këmbët me radhë. Nëse nuk e godet është e vështirë të ndalet. Por nuk po them goditje për ta dëmtuar, por thjesht për ta ndaluar, per t’i ulur ritmin dhe për ta bezdisur”.

Europa dhe Amerika- “Diçka e kanë të përbashkët. Arbitrat të çajnë by… kudo. Por çdo vend ka shkollën e tij. Në Angli nëse shkakton faull tifozët ja bëjnë OHHHH dhe arbitri vazhdon lojën. Në Spanjë një faull i tillë mund të jetë i kuq. Në Brazil disa arbitra lënë lojën, ndërsa të tjerë të ndëshkojnë. Por prandaj më pëlqen Kupa Libertadores sepse më arbitrojnë argjentinasit dhe ata nuk japin kartonë”.

melo

Fëmijëria në Brazil- “Unë kam lindur në lagjen më të tmerrshme të Rios. Nëna ime qëndronte me mua dhe vëllezërit në shtëpi, ndërsa babai punonte gjithë ditën. Nuk kisha komoditete, por as nuk më mungonte gjë. Ëndrra ime e madhe ishte futbolli. Nëse nuk bëhesha futbollist nuk e di çdo të ndodhte me jetën time. 95% e shokëve të mi të fëmijërisë nuk jetojnë më sepse zgjodhën rrugën e gabuar”.

melo65

Jeta në lagje- “Kam parë me sytë e mi gjëra të paimagjinueshme dhe është e mira të mos flas për to. Kam pasur mundësinë, por kurrë nuk doja të kisha armë dhe drogë nëpër duar. Unë preferova rrugë tjetër por më kujtohet kur shefat e narkotrafikut më thanë: Mos të shohim më këtu, ndryshe do ta presim fytin. Nuk doja ta fitoja paranë lehtësisht, por të punoja”.

PËRGATITI: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"