Federohen të gjitha blerjet, FIFA i zhbllokon merkaton Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2021 | 14:39

Federohen të gjitha blerjet, FIFA i zhbllokon merkaton Flamurtarit

Në një kohë që është duke vuajtur prej COVID-it (4 lojtarë raportohen të infektuar), Flamurtari merr lajmin e madh. Në orën 13:00 të së mërkurës, FIFA u ka zhbllokuar zyrtarisht merkaton.

FLAMURTARI

Kjo u ka dhënë të drejtën që të federojnë të gjitha blerjet e bëra gjatë verës dhe rrjedhimisht t’i përfshijnë në formacionin anti-Apoloni. Dritan Resuli aktivizoi si titullarë Gocajn, Liçajn, Pjeshkën, Ramadanin dhe Oliverën, ndërsa nga stoli mori minuta Sallaku.

NDESHJA – Në orën 16:00 nisi Flamurtari-Apolonia, e vlefshme për turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Ishte një ndeshje thuajse e barabartë, aq sa doli edhe rezultati final. Nëse e para foli për kuqezinjtë, në pjesën e dytë fierakët iu afruan fitores. Loja nisi e shtruar dhe me raste sporadike, por me kalimin e minutave janë vendësit që marrin kontrollin.

Edhe pse në pushim shkuan në “thatësi”, Ricaj shpërdoroi disa raste. E dyta solli edhe gola, nga një për secilën skuadër. Vlonjatët u hodhën në sulm dhe kur kronometri shënonte të 66-ën minutë, Diamanti driblon një mbrojtës mik dhe kur futet në zonë, ndalet në mënyrë të parregullt.

Për kryesoren Mirela Çemeri ishte penallti. E ekzekuton po Diamanti, i cili nuk fal dhe 1- 0. Vetëm tetë minuta zgjati avantazhi i vlonjatëve, pasi në minutën e 74-t erdhi barazimi.

Me një goditje të bukur me të majtën, tokazi e të saktë, është Topi që shënon. Minutat në vijim folën më tepër për miqtë nga Fieri, të cilët rrezikuan seriozisht portën e Moçkës, por pa mundur të shfrytëzojnë mundësitë e ardhura. Tashmë do duhet të luhet ndeshja në Fier, për të vendosur se cila skuadër do të kalojë në raundin pasardhës.

fl

ENRIKO GABAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"