Faza e katërt fatale, ja si humbi terren Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 15:23

Faza e katërt fatale, ja si humbi terren Skënderbeu

Skënderbeu duket se ka humbur çdo shpresë për të qenë në vendet që të çojnë në Europë. Deri para katër javësh korçarët ishin në vendin e tretë në klasifikim dhe shumë pranë objektivit sezonal. Por, faza e katërt rezultoi fatale. Pasi mbyllën fazën e tretë me thuajse të gjitha fitore, duke regjistruar një numër rekord pikësh të denjë për titull, bardhekuqtë me humbjen e fundit në Durrës duket se i kanë thënë lamtumirën zonës “Euro”.

1 minute heshtje Skenderbeu

Kur ngelen edhe katër javë nga fundi, Skënderbeu e sheh veten 5 pikë larg Teutës së vendit të tretë dhe me kalendarin në dorë gjithçka bëhet malore. Të rikuperosh pesë pikë ndaj një ekipi si Teuta që po tregon formë të mirë me një kalendar kur duhet të përballesh me Kukësin dhe Partizanin, duket disi e vështirë. Në njëfarë mënyre korçarët janë jashtë zonës europiane, edhe pse një peshë të mirë të kësaj situate rëndon mbi dëmtimet.

DËMTIMET – Të nisur pas shkëputjes së kampionatit me dy fitore, dëmtimet kanë ardhur të shumta për korçarët. Të nisur pa asnjë përgatitje paraprake si shumë ekipe të tjera, bardhekuqtë tashmë duket se po vuajnë pasojat e nisjes së vonë të stërvitjes. Me Meksin që mbylli para kohe kampionatin, tri ndeshjet e fundit Ilir Daja i ka bërë llogaritë me një numër të reduktuar lojtarësh. Gati një e treta e ekipit ka qenë jashtë gjatë gjithë kësaj periudhe.

OBJEKTIVAT – Në pritje të një vendimi pozitiv nga ana e Gjykatës Federale, Skënderbeu donte që të siguronte minimalisht pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s. Korçarët duhet të marrin pikët e plota në ndeshjet e mbetura për të pasur një arsye më shumë që të pretendojnë vendin e tretë në kampionat. Në kushtet kur Vllaznia është afruar në vetëm gjashtë pikë, vijimësia mbetet në diskutim.

Skenderbeu tropikal

Në 360 minutat e fundit, bardhekuqtë luajnë gjithçka për gjithçka. Nga njëra anë synon zonën “Euro”, por ka përpara pengesa të tilla si Kukësi dhe Partizani, ndërsa nga ana tjetër kërkon të shmangë afrimin e Vllaznisë që ndodhet në zonën “play out”. Në kushte të tilla ndeshja e kthesës mbetet kjo e kësaj jave, pikërisht ndaj shkodranëve. Një fitore këtu u hap rrugën korçarëve drejt vendit të tretë, në të kundërt do të zhyteshin drejt mbijetesës.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"