Fati i keq dënon Romën, verdhekuqtë humbasin Dibalën dhe ndeshjen. Murinjo: Jam i shqetësuar!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2023 | 9:10

Fati i keq dënon Romën, verdhekuqtë humbasin Dibalën dhe ndeshjen. Murinjo: Jam i shqetësuar!

Nëse Roma e Zhoze Murinjos duhej të paguante diçka, duke parë se fati i mirë e kishte ndjekur për një periudhë shumë të gjatë së fundmi, atëherë borxhi është shlyer i plotë, madje edhe më tepër, duke parë gjithçka ndodhi dje, në çerekfinalen e vajtjes së Ligës së Europës.

murinjo

Në stadiumin “De Kuip”, italianët humbën 1-0, por kjo erdhi pasi fati i keq kishte bërë kërdinë në radhët e “Ujkonjës”. Në fillim një penallti e stampuar në shtyllë nga Pelegrini, më pas një traversë, me sferën që largohet mbi vijën fatale, përpara se të mund të hynte në rrjetë, por akoma më keq se kjo, dëmtimi në mesin e pjesës së parë i yllit dhe liderit të skuadrës, Paulo Dibala.

Argjentinasi ndjeu menjëherë një problem në muskujt e pasmë të kofshës, menjëherë pas së cilës nisi të qajë, ndoshta nga frika se mund të jetë diçka serioze. Por nuk mbaron këtu, sepse të gjitha këtyre u shtohet edhe dëmtimi i “pykës”, Abraham, 5 minuta pasi Fejnordi kishte gjetur edhe avantazhin me Viferin nga pika e bardhë.

Morali i kësaj ndeshjeje: Takim pas një jave në një “Olimpiko” që pa dyshim do të jetë i mbushur në kapacitet maksimal, me shpresën se përmbysja është më se e mundur, duke qenë se Fejnordi, është një skuadër teknikisht shumë e varfër, për të qenë e frikshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për një çerekfinale të Ligës së Europës.

Por ndërkohë, pyetja që shtrohet është: Sa të rënda do të jenë dëmtimet e Dibalës e Abrahamit dhe, mbi të gjitha, kush mund t’i zëvendësojë ata, duke qenë se në kalibrin e tyre te Roma nuk është se ka të tjerë?

Flet Murinjo – Përgjigjen e kësaj pyetjeje nuk arrin që t’ua japë vetes dhe të tjerëve as Zhoze Murinjo, i cili në fundin e ndeshjes nuk është se ishte shumë i lumtur, se si shkuan gjërat.

“Unë si person jam optimist për ndeshjen e kthimit, por duke parë faktet jam edhe i shqetësuar për ndeshjen e së dielës, në kampionat. E vërteta është se ne jemi një skuadër me limite të caktuara, por kur humb një lojtar dhe nuk po them të rëndësishëm, pasi të rëndësishëm janë të gjithë, pa dyshim që opsionet të zvogëlohen bindshëm. Ky është një shqetësim i madh për mua, ashtu sikurse di të them se ishte një ndeshje në të cilën nuk e meritonim aspak humbjen.

Gjithsesi, Zotit të futbollit nuk është se i intereson shumë ky fakt. Ai flet me fakte dhe faktet tregojnë që ne e gabuam penalltinë, ndërsa Fejnordi e dërgoi në rrjetë.

Pak të ligë në sulm? Fatkeqësisht ne nuk kemi Halandin, jemi ata që jemi dhe shumë prej nesh duhet të sakrifikohen në çdo ndeshje, edhe në role të ndryshme, për të plotësuar boshllëqet tona.

Po shënojmë pak? E thashë, nuk kemi shumë zëvendësime, por tani më shqetëson më shumë sfida me Udinezen. Ndërkohë, të enjten e ardhshme e sigurt është që nuk do të kemi në dispozicion Dibalën, prandaj do të jemi vetëm ne të tjerët dhe ‘Olimpiko’ që duhet të provojmë të përmbysim situatën.

Po, e pranoj gjithashtu se shënojmë pak, por jo për faj të sulmuesve, shënojmë pak si skuadër, pasi gola duhet të bëjnë edhe mesfushorët, edhe mbrojtësit”, përfundoi Murinjo.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"