Fati i Dinamos vendoset sot, drejtuesit e vjetër dhe italianët gati për takimin vendimtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2020 | 9:36

Fati i Dinamos vendoset sot, drejtuesit e vjetër dhe italianët gati për takimin vendimtar

Dinamo fitoi një takim shumë të rëndësishëm kundër Besëlidhjes së vendit të dytë në Grupin A. Kryeqytetasit e vendit të fundit ia dolën të mundin ekipin e trajnerit Elvis Plori, që kërkon ngjitjen në Superiore. Te Dinamo ka pasur shumë zhvillime kohët e fundit sa u takon lojtarëve dhe drejtuesve të klubit blu. Drejtuesit e mëparshëm dhe ata italianë prej disa muajsh ranë dakord për administrimin e ekipit nga këta të fundit, por marrëveshja nuk u bë asnjëherë zyrtare. 

dinamoooo

Së fundmi ka pasur edhe përplasje. Pas largimit të Muçës, Sefës dhe Alcanit, të cilët nuk pranuan të stërviteshin para ndeshjes me Besëlidhjen për shkak të rrogave, drejtuesit e vjetër, ose më saktë Ismet Saliu reagoi ashpër dhe vendosën të ndërpresin marrëdhëniet me trajnerin Kamarata. Saliu riktheu Igli Allmuçën, por stërvitjen vazhdoi ta drejtonte Kamarata, ndërsa në ndeshjen me Besëlidhjen në stol ishte ndihmësi Olsi Uku. Në fakt, edhe pse në stol ishte ky i fundit, ai merrte direktiva nga Kamarata nga shkallët, ndërsa Allmuça ishte disa shkallë më larg.

TAKIMI PËRFUNDIMTAR

Gazeta mëson se para ndeshjes me Besëlidhjen administratori Saliaj është munduar të ulë gjakrat dhe të karikojë lojtarët për të dhënë më të mirën në fushë. Sipas tij, gjithçka ka të bëjë mes drejtuesve, do të zgjidhet nga ata, pa ndikuar aspak te skuadra dhe lojtarët. Dhe Dinamo zhvilloi një ndeshje shumë të mirë të shtunën, duke i dhënë një leksion të mirë Besëlidhjes pretendente.

dinamo

Presidenca e Dinamos dhe pala italiane kanë sot rreth mesditës një takim për mbylljen zyrtare të marrëveshjes. Me shumë gjasa, situata do të marrë sot një zgjidhe përfundimtare në lidhje me drejtimin e klubit kryeqytetas. Kuptohet që nëse drejtimin e Dinamos e marrin zyrtarisht italianët, trajner do të jetë Fabricio Kamarata, ndërsa në rast të kundërt, ekipi do të drejtohet nga Igli Allmuça. Për fitoren e fundit me Besëlidhjen skuadra ka marrë edhe një shpërblim që ishte premtuar përpara ndeshjes nga Marko Pontreli, përfaqësuesi i palës italiane që kërkon të marrë tashmë edhe zyrtarisht drejtimin e bluve.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"