Fati dhe risku i Kolelës/ “Hijet” e Kupës, Apolonia luajti vetëm me 4 titullarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2020 | 14:09

Fati dhe risku i Kolelës/ “Hijet” e Kupës, Apolonia luajti vetëm me 4 titullarë

Është eliminuar nga turi i dytë i Kupës së Shqipërisë. Një Apoloni e trembur, e pabindur në “takatin” e vet, sepse, po të shprehej lirshëm, mund t’ia bënte “malore” kualifikimin Partizanit, ca më shumë madje, edhe ta eliminonte. E ka bërë Besëlidhja në të shkuarën ndaj Partizanit, ndërsa këtë edicion “etaloni” i padiskutueshëm në Kupën e Shqipërisë këtë tur ka qenë Korabi, që me 10 futbollistë për gati gjysmën e krejt ndeshjes ka eliminuar kampionët në fuqi dhe finalistët e vjetshëm të kompeticionit, Tiranën, duke i kushtuar pankinën trajnerit Egbo. Pa harruar edhe Dinamon, që fiton me përmbysje në Ballsh, në një fushë ku e kanë të vështirë të marrin pikë edhe ekipe të Superiores.

Apolonia-Bylis

Nuk po zgjatemi me debatin se ky kompeticion, Kupa e Shqipërisë, neglizhohet dhe nuk ka të njëjtin angazhim nga ekipet e Superiores, por Tirana nuk e mbron dot humbjen ndaj Korabit, me “apologjinë” e mungesave, pasi diferencat e bardhebluve me dibranët janë të pallogaritshme në cilësi. Po kështu, nuk ka justifikim për Bylisin, skuadër që Kupën gjithmonë e ka pasur prioritet. Në këtë rezyme, fierakët duhet të marrin mesazhin e duhur, guximin ndaj çdo kundërshtari, pa u tkurrur si skuadër “infantile” nga asnjë kundërshtar. Pse u tregua e dobët Apolonia ndaj Partizanit? Sepse vetëm 4 lojtarë nga formacioni titullar kundër të kuqve kanë qenë pjesë e vjetshme apo dhe më tej e skuadrës: Harizaj, Mehmeti, Ejoh dhe Mihana, ndërsa plot, 7 të tjerët, janë debutues këtë sezon dhe, pavarësisht cilësive, nuk ia kanë fort “haberin” nivelit superior.

Jo më kot Harizaj, Mehmeti, Ejoh dhe Mihana kanë qenë më të mirët në fushë për Apoloninë, sepse kanë përvojë me fanellën bardhejeshile dhe kanë fituar edhe një trofe shumë të rëndësishëm dhe po aq të rivalizuar e të vështirë vjet: titullin kampion të Kategorisë së Parë. Gjithsesi, ballafaqimi në Kupë me Partizanin ka qenë një episod studimi për fierakët për ndeshjen e kampionatit ndaj “demave”, e cila do të luhet pas 10 ditësh në Fier.

Kolela Apolonia

FATI DHE RISKU I XHOVANI KOLELËS

Ka marrë drejtimin e skuadrës në një moment që nuk pritej nga opinioni sportiv, por mbase e përllogaritur diçka e tillë nga drejtuesit më të lartë të klubit. Xhovani Kolela e nisi aventurën në Fier si drejtues teknik i Apolonisë, por në fillim të shtatorit veshi “kostumin” e trajnerit të parë. Ai ka pasur kohën e mjaftueshme për të njohur skuadrën, mjedisin, mentalitetin e gjer tek ambicia e drejtuesve të lartë të klubit, por mbase nuk e ka vlerësuar aq sa duhet raportin esencial: rezultatet e skuadrës përballë kërkesave dhe pretendimeve të klubit.

Trajneri Kolela mori përsipër një risk duke i besuar përvojës së konsiderueshme vetjake në trajning, duke i besuar fjalës dhe përkrahjes nistore të drejtuesve të klubit fierak, ndoshta duke harruar që është pasardhës i një trajneri kampion, Artan Mërgjyshi, të cilin klubi “e dorëhoqi” pasi i bëri Apolonisë edhe fazën përgatitore dhe nuk i respektoi kontratën për dyfishimin e pagës këtë sezon. Dhe kur largohet një kampion, nuk është çudi të ndodhë edhe me një trajner “rishtar” (në fakt, klubi e pati planifikuar për këtë funksion, duke e pasur si “as nën mëngë” për të zëvendësuar Mërgjyshin, që e detyruan të largohej).

Trajneri Kolela u tregua i pakujdesshëm apo “finok” kur pas humbjes në miqësore me Elbasanin deklaroi se nuk mbante përgjegjësi për merkaton e Apolonisë, çka vetë trajneri u përpoq më vonë ta zbuste dhe ta paraqiste si keqkuptim dhe keqinterpretim mediatik. Por 54-vjeçari italian nuk duhet të harrojë deklarimin e presidentit Kokëdhima për “Panorama Sport” në fillim të sezonit: “Apolonia do të jetë surpriza e kampionatit dhe ka objektiv zonën Euro!” Një fjali që duhet ta ftillojë trajnerin Kolela përpara dhe pas çdo ndeshjeje. Sa kohë nuk kanë marrë një paramendim, drejtuesit e lartë të klubit fierak shprehen për “dashuri të përjetshme” me trajnerët, por kjo “kimi” nuk zgjat shumë dhe pastaj kalohet normalisht te fiksimi i radhës… Histori në pritje, jo për “të trembur” Kolelën, por për ta kthjelluar që të bëjë ca përditësime në “habitatin” shqiptar.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"