Partizani e shpall në kërkim, humb Fataki

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2013 | 13:03

Partizani e shpall në kërkim, humb Fataki

Fataki ne Kastrioti-Tomori 1-0Klubi  i futbollit “Partizani” i është drejtuar policisë me një shkresë zyrtare, ku “shpall në kërkim” lojtarin francez, me origjine afrikane, Albert Fataki, i datëlindjes 25.05.1989, me pasaportë nr. 10CY71941. Ish-sulmuesi i Kastriotit në kampionatin tonë është larguar pa gjurmë dhe në drejtim të paditur, duke i lënë me “gisht në gojë” drejtuesit e kuq. Pasi ra dakord mbi termat e kontratës individuale të punësimit, që do të nënshkruante sot me Partizani, u ftua nga klubi të vinte në Tiranë për nënshkrimimin e kontratës dhe atashimin e tij pranë skuadrës së kuqe. Lojtarit iu dërgua bileta përkatëse dhe në datën 29.09.2013 mbërriti në Aeroportin “Nënë Tereza”, ku u prit nga përfaqësuesi i klubit, i cili e trasportoi atë për në hotel, ku ishte planifikuar nga Partizani si rezidenca e tij e përkohshme. Pak pas largimit të përfaqësuesit të klubit, punonjësit e hotelit njoftuan se lojtari u largua me një person të panjohur dhe në drejtim të paditur. Deri në këto momente klubi i kuq nuk ka marrë asnjë njoftim për vendndodhjen e lojtarit dhe qëllimin e largimit të fshehtë të tij, ndaj i janë drejtuar policisë shqiptare për ta “skanuar” situatën. Duke u vënë në dispozicion edhe kopjen e pasaportës së personit në fjalë, Albert Fataki, Partizani e shpall “në kërkim” sulmuesin me të cilin priste të hidhte firmën në kontratë.
Fataki do të firmoste për një vit dhe shuma financiare që pritej të përfitonte ishtë jo e vogël, por rreth 30 mijë euro. Futbollisti e njihte mirë Kategorinë Superiore dhe kjo ka qenë një nga arsyet pse trajneri Lika dhe drejtuesit e tjerë të bordit nuk kanë preferuar të marrin lojtarë, të cilët nuk kanë luajtur asnjëherë më parë në kampionatin shqiptar. Fataki pritej të zhvillonte sot stërvitjen e parë me të kuqtë dhe drejtuesit t’i bënin menjëherë federimin, por gjithcka ka ndryshuar me zhdukjen e tij pa lënë asnjë gjurmë.
Serbi Buac – Ndërkohë një tjetër futbollist që e ka bindur trajnerin Lika, gjatë katër ditëve që ka zhvilluar provë tek të kuqtë, është serbi Vladimir Buac. Ky i fundit ka luajtur në takimin miqësor ndaj Teutës, të shtunën e kaluar, dhe ka bërë një paraqitje mesatare. Megjithatë, në ditët në vijim Buac duket se ka rritur nivelin e tij, ndërsa në miqësoren e zhvilluar brenda grupit në mesjavë ka treguar vlerat e tij, madje ka gjetur edhe rrugën e rrjetës, duke e bindur trajnerin Lika se është një alternativë e vlefshme për të ardhmen. 28-vjeçari ka një karrierë të pasur në futboll, duke qenë se ka luajtur për gjashtë sezone rresht me Vojvodinën dhe, më pas, në disa ekipe të tjera në kategorinë inferiore. Megjithatë, stafi teknik ka besim se eksperienca e tij do e ndihmojë ekipin në sezonin e ardhshëm.

Sulejman Hoxha, portieri rezervë
Prej kohësh, drejtuesit e Partizanit kanë qenë në kërkim të një portieri rezervë, i cili do të zëvendësonte Alban Hoxhën në raste “dëmtimi”, apo mbingarkese të ndeshjeve. Edhe pse paraqitja e të riut Fabio Gjonikaj ka qenë mjaft e mire, të kuqtë kërkonin një gardian me pak më shumë eksperiencë. Duke qenë se tratativat me ish-portierin e Besëlidhjes, Dashamir Xhika, i cili është një prodhim i Partizanit nuk janë përfunduar dhe ky i fundit iu bashkua Tërbunit, “demat” morën një tjetër portier. Bëhet fjalë për Sulejman Hoxhën, ish-gardiani i Erzenit, Dinamos, Apolonisë, Pogradecit dhe Teutës. Edhe pse Hoxha përflitej si një futbollist mjaft i talentuar, në të kaluarën e tij ka luajtur gjithmonë si portieri i dytë dhe kanë qenë të pakta rastet kur është aktivizuar që nga minuta e parë. 23- vjeçari njihet mjaft mirë nga trajneri Lika, pasi ka punuar me teknikun aktual të të kuqve, kur ai ka drejtuar Apoloninë dhe Teutën. Te Partizani, Sulejman Hoxha do të garojë me Alban Hoxhën për një vend në formacion, duke qenë se ky i fundit tashmë e ka këtë status, për shkak të sigurisë që ka dhënë në ndeshjet miqësore dhe ato brenda grupit. Interesant është fakti që të dy portierët e Partizanit kanë të njëjtin mbiemër.

Ulet ngarkesa, përqendrim te skemat taktike
Dje, Partizani zhvilloi një seancë të lehtë stërvitore në ambientet e Shkollës së Bashkuar. Gjatë saj, trajneri Lika u përqendrua më shumë te skemat taktike që do të përdorë në takimin ndaj Kastriotit. Ai u ka kërkuar futbollistëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos e tolerojnë në asnjë moment kundërshtarin, pasi çdo gabim do të ishte fatal. Për sa i përket grupit, ai është i plotë, megjithëse Murati gjatë kësaj jave ka pasur shqetësime. Edhe Mazrekaj nuk është ndjerë mirë këto kohë, megjithatë ai do jetë i gatshëm për takimin e së shtunës, kur Partizani do të kërkojë trepikëshin për ta nisur mbarë këtë sezon.

Trajneri përcakton sot formacionin final
Trajneri i të kuqve, Hasan Lika, do të përcaktojë sot edhe formacionin final me të cilin pritet të luajë nga minuta e parë në transfertën ndaj Kastriotit. I vetmi repart, që pritet të ketë ndryshime deri më tani, është ai i sulmit, pasi ardhja e Fatakit dhe konfirmimi i Buacit kanë ndryshuar situatën. Sipas të gjitha gjasave, francezi pritet të jetë në fushë që nga minuta e parë, por nuk përjashtohet mundësia që Lika të luajë edhe me tredhëmbësh dhe t’i vërë në vijë të drejtë Buacin, Malon dhe Fatakin. Ndërkohë që repartet e tjera pritet të mos kenë ndryshime dhe rreshtimi të jetë ashtu siç trajneri Lika ka vendosur në miqësoren brenda grupit.
ARMAND HALILI

CTRL + Q to Enable/Disable GoPhoto.it

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"