Fasone “ndez” derbin: Interi, një “femër” e bukur dhe naive që ka nevojë për një burrë të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 15:08

Fasone “ndez” derbin: Interi, një “femër” e bukur dhe naive që ka nevojë për një burrë të fortë

Kryesfida e javës së tetë Inter-Milan po afron dhe për Marko Fasonen nuk mund të jetë një ndeshje dosido. Administratori aktual kuqezi ka një të kaluar te rivalët e së dielës. Sipas tij: “Zikaltrit janë një shoqëri që gjithmonë kanë pasur nevojë për një burrë të fortë në stol, që nga Mançini e deri te Murinjo. Interi është si një femër e bukur, naive dhe disi e çrregullt, siç e ka përkufizuar edhe Morati. Sot kanë në drejtim dikë si Spaleti, i cili e ka nisur mirë”.

fasone milan1

JO VETËM INTER

Përpara Interit, Fasone ka punuar edhe për Juven dhe Napolin: “Bardhezinjtë janë një klub më i strukturuar, ngjasojnë me një kompani, ndërsa Napoli është një shoqëri private e drejtuar nga një pronar që vendos dhe përcakton. De Laurentis ka meritën që diti të përvetësonte rolin dhe të ngrejë një strukturë efikase”.

MILANI SOT

“E tashmja ime profesionale” e përkufizon administratori Fasone Milanin, duke e cilësuar detyrën kuqezi si arritje pas shumë vitesh të kaluara duke grumbulluar përvojë. Në “Casa Milan” ka disa ndryshime, siç shpjegon kreu milanist, i cili, ndër të tjera, deklaron:

“Kudo kam punuar, kam pasur të bëj me hierarki dhe, në të mirë apo në të keq, fjala e fundit i takonte dikujt tjetër. Te Milani jam përballë një basti emocionues. Jam i bindur se do ta përmbushim me sukses misionin tim, pasi edhe bashkëpunëtoret krah meje janë ndër më të aftët në punën e tyre”.

OBJEKTIVAT

Sipas administratorit kuqezi, nuk ka vend për panik, edhe nëse në fund renditja nuk i buzëqesh Milanit. Ai theksoi: “Nuk do të jetë një dramë nëse nuk arrijmë të kualifikohemi në Ligën e Kampioneve. Në planin tonë prezantuar FIFA-s nuk parashikojmë objektiva, por sigurisht të pasurit 40 milionë euro më shumë në buxhet ndihmon për të mos qenë të detyruar për të shitur lojtarë”.

TITULLI DHE KOHA

Në lidhje me titullin kampion, Fasone nuk sheh të tjerë favoritë përveç Juventusit dhe Napolit, pavarësisht hapave përpara të Romës, Lacios dhe Interit:

“Favoritet mbeten Juvja dhe Napoli, pastaj vijnë të tjera që, për hir të së vërtetës, kanë pak shanse për titull. Klubi i Milanit dëshiron që lojtarët të jenë në kushte për të dhënë maksimumin, në mënyrë që të respektohen tifozët dhe historia e fanellës. Montelës i duhet ende kohë për të stabilizuar ekipin. Vitin e ardhshëm planifikojmë të përforcojmë skuadrën me dy ose tre elementë për të synuar edhe ne titullin.

REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"