Farsa e radhës në Asamblenë e fundit të KOKSH dhe mashtrimi me auditimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2022 | 12:53

Farsa e radhës në Asamblenë e fundit të KOKSH dhe mashtrimi me auditimin

Me keqardhje konstatoj se sporti është i kapur nga qeveria dhe politika. Përse e them këtë? Mjafton të shohësh se si u zhvillua asambleja e fundit e tij dhe është shumë e qartë që si në çdo fushë edhe në sport (përveç futbollit) ne bëjmë gjithnjë hapa pas. Po, po, hapa pas, pasi sot nuk mendohet si të bëhet më e mira për sportin apo të zhvillohet debat konstruktiv, si ta çojmë përpara duke i shërbyer shoqërisë, kombit, flamurit tonë, por mendohet vetëm në mënyra meskine për interesa politikë për ta përdorur atë për reklamën që i duhet bërë qeverisë “për punën e mirë”, duke u mbështetur dhe në interesat e ulët të drejtuesve të sportit.

Bezhani55

Përse e them këtë? Mjafton sot të shohësh si ndahen fondet që akordohen nga qeveria për sportin, është e qartë, ai është i kapur dhe i është mbyllur goja për çdo gjë sa dhe në një asamble të një OJF si KOKSH nuk janë në gjendje të ngrihen dhe të diskutojnë për fondet që harxhohen në emër të tij ndonëse këto janë fonde në tërësinë e tyre të sponsorizuara nga IOC dhe EOC. E ku ka më mirë që transparenca të nisë nga këto fonde e të vazhdojë më tej me fondet që jep qeveria! Por si mund të presim një gjë të tillë kur federatave u mbyllet goja e mbahen varur nga qeveria me fondet që ajo akordon pjesë-pjesë, si ai ushqimi me racion, e nëse nuk sillesh mirë, nuk merr racionin e radhës dhe si rrjedhojë mbetesh pa ngrënë.

Si president i KOKSH në mandatin tim të dytë bëra një luftë pa kompromis për problemet që unë konstatova në KOKSH, duke mos kursyer asnjë instancë drejtuese të shtetit shqiptar (kryeministri, ministria e linjës, krimi ekonomik, prokuroria etj.). Për të ardhur keq në fakt se reagimi i çdo instance shtetërore (edhe pse flitet shumë për drejtësinë e re) ishte tejet zhgënjyes (nuk e kisha personale as me sekretarin dhe as me punonjësit, por luftova paligjshmërinë që drejtuesit që do të vijnë të mos bënin të njëjtat gabime apo abuzime). Këtij zhgënjimi sot i vuri kapakun kjo asamble, pasi u vërtetua plotësisht që shteti (qeveria) u bë palë me paligjshmëritë në KOKSH, për ta kapur atë, për të vënë aty emisarët e qeverisë së sotme me qëllim për të vënë nën kontroll të plotë federatat sportive, duke cenuar kështu rëndë autonominë e sportit, i cili është i të gjithëve dhe jo i partisë në pushtet. Me plot gojën sot them që sporti është i kapur dhe është vënë në shërbim të politikës dhe jo e kundërta që politika t’i shërbejë atij.

KOKSH-seminar-2017-Bello-Bezhani-Gjonaj

Në lidhje me këtë që ka ndodhur në këtë asamble, pa dashur të përsëris veten, pasi unë i kam bërë publike të gjitha konstatimet e mia për problemet e KOKSH, dua të shtroj disa pyetje shumë të rëndësishme që i nxjerrin të palarat në shesh KOKSH-it sot pasi janë bërë palë për të mbrojtur paligjshmërinë e i janë nënshtruar tërësisht asaj. Këto pyetje janë:

1. Për konkluzionet e auditimit të vitit 2018, që ka konstatuar audituesi i mëparshëm, a mundtë na thotë audituesja e re nëse janë realizuar detyrat e lëna apo janë zbatuar detyrat e lëna, pasi ai raport ka gjetur shkelje serioze?
2. Në bazë të statutit dhe rregullores të KOKSH është shprehur qartë ku çdo anëtar i asamblesë duhet të këtë përpara asamblesë raportin e situatës financiare dhe ekonomike të organizatës si dhe opinionin e auditit mbi bilancin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Lind pyetja: A u është dërguar ky raport auditueses së bashku me materialet përkatëse anëtarëve të asamblesë siç e kërkon rregullorja? (sipas disa federatave, JO).
3. Auditimin për vitin 2019 dhe 2020 mbi çfarë baze ligjore e ka realizuar zonja audituese, pasi ky auditim duhej bërë nga audituesi i cili ishte zgjedhur nga asambleja dhe kishte një kontratë ligjore të lidhur me KOKSH? (mjafton të shihni ligjin në ka të drejtë audituesja të bëjë auditimin e 2019 dhe 2020 apo është në shkelje ligjore)
4. Si ka mundësi që kjo audituese deklaron për këto tri vite që çdo gjë është në rregull kur vetë ish-sekretari më është drejtuar me shkresë zyrtare për të firmosur një sërë dokumentesh, pasi audituesi i kishte gjetur pa firmën e presidentit dhe as me vendime komiteti?
5. Përse ky auditim nuk u krye në kohën kur ai duhej bërë ligjërisht, i mbështetur dhe në statutin e KOKSH: Për vitin 2019 kontrolli të kryhej në vitin 2020 dhe për vitin 2020 në vitin 2021? Përse është realizuar jashtë çdo afati ligjor? Përse ky auditim u sabotua nga punonjësit e KOKSH respektivisht në vitet 2020 dhe 2021 dhe nuk iu vu audituesit të mëparshëm dokumentacion i nevojshëm për kryerjen e auditimit? Ju kujtoj se KOKSH u kthye në bunker, ku punonjësit mbylleshin brenda deri në orën 12 të natës për të mos lejuar që asnjeri që të hynte në zyrat e institucionit.
6. Si drejtues i KOKSH për këtë periudhë të audituar përse nuk jam thirrur apo njoftuar nga audituesja e sotme e KOKSH që ka marrë përsipër të auditojë një periudhë që nuk i takon për gjetjet që ajo ka për këto dy vite?
7. Lind pyetja se mos vallë për këtë qëllim u hoq thesaristi, pasi ai deklaroi se ka vendime dhe lëvizje financiare pa miratimin e KE? Ai deklaroi se kishte kërkuar 3 herë me shkrim për t’u vënë në dijeni dhe asnjëherë nuk i janë përgjigjur, por presidenti është mjaftuar vetëm me urdhrin e tij për të kryer veprime financiare (deklaron Boga).

Dua t’u them në fund dy fjalë drejtuesve të sotëm të KOKSH se “dielli nuk mbulohet me shoshë”, shprehje kjo e popullit që i shkon për shtat asaj që po bën sot KOKSH me këtë audituese. Si ish-president i KOKSH kam të dokumentuar veprimtarinë financiare për periudhën që kam drejtuar e kësisoj çfarëdo që ju keni bërë për të mbyllur zullumet me pazaret tuaja një ditë ato do të dalin. Kapni gjykatës e prokurorë, blijini ata apo bëni çfarë të doni, por ju siguroj se unë do t’i shkoj deri në fund. Le të krekosen, por kështu siç po veprohet vetëm sporti nuk fiton, nuk fitojnë sportistët, nuk fiton kombi, por vetëm disa drejtues meskinë që mendojnë të bëjnë reklamë duke mos i shërbyer sportit.

VIRON BEZHANI – Ish presidenti i KOKSH në periudhën 2013-2021

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"