Fantazia ekstreme, Tomori krahasohet me Barçën. Mesfushori Koleci: Bëjmë thuajse të njëjtën lojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2018 | 11:22

Fantazia ekstreme, Tomori krahasohet me Barçën. Mesfushori Koleci: Bëjmë thuajse të njëjtën lojë

Mesfushori i Tomorit, Eristotel Koleci, ka thënë se loja e beratasve ishte e jashtëzakonshme në përballjen me Turbinën dhe të jepte përshtypjen e një skuadre “alla-Barcelona”. Pasime të shkurtra dhe të dendura duke vertikalizuar në momentin e duhur me një ritëm tejet të lartë. Sipas 24- vjeçarit, ajo ishte një nga sfidat me nivelin më të lartë të lojës, ku në rast se ekipi do të vazhdojë me këtë ecuri, atëherë mund të ketë edhe surpriza të pakëndshme më rivalët e kreut.

tomori tirana 1

KOLECI – Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, futbollisti Koleci në një mënyrë i ka dhënë një sinjal të qartë kundërshtarit të sotëm. “Loja e zhvilluar ndaj Turbinës ka qenë pothuajse në një nivel me atë të epokës së Guardiolës te Barcelona, ku ndoshta disave mund t’iu duket një absurditet kjo që jam duke thënë. Nëse do të kishte kamera në dispozicion, atëherë jam i bindur që do të më besonit për këto që jam duke folur. Tomori nuk është një lojtar, dy-tre apo pesë.

Ne jemi një skuadër e konsoliduar dhe duhet të vazhdojmë ende punën në këto nivele, pasi kemi bashkuar forcat për t’u përmirësuar në vazhdim. Po fokusohemi maksimalisht në seancat përgatitore dhe nëse nuk do të kishim gabuar më parë në disa ndeshje, pa diskutim mund të ishim në dy vendet e para”, theksoi mes të tjerash Koleci. Sakaq, futbollisti kamzali ka folur edhe në lidhje me ndeshjen e sotme ndaj Bylisit, teksa beson maksimalisht se skuadra mund të dalë me pikë nga qyteti i Ballshit.

aristotel koleci

“Nesër(sot) do të jetë një ndeshje e rëndësishme, pasi do të garojmë kundër një nga skuadrave më të forta të Kategorisë së Parë. Duhet të tregojmë veten dhe punën që kemi bërë përgjatë kësaj jave. Tomori, Tirana dhe Bylisi do të konkurrojnë për ngjitjen në Superiore deri në ditën e fundit, mirëpo, ndeshja e sotme nuk do të vendosë asgjë, pasi është struktura e kampionatit ajo që të afron më shumë me rivalët në fazën e tretë. Duhet të bëjmë një lojë të mrekullueshme dhe gjithashtu të jemi pak me fat për të sjellë në Berat rezultatin pozitiv. Ne nuk i trembemi askujt dhe besojmë te forcat tona”, përfundoi Koleci.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"