Fanellat dhe protokolli, zbulohen argumentet. Ja arsyet pse Flamurtari kërkon fitoren në tavolinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2020 | 18:06

Fanellat dhe protokolli, zbulohen argumentet. Ja arsyet pse Flamurtari kërkon fitoren në tavolinë

Zbardhen argumentet me të cilat Flamurtari do të kërkojë në tavolinë ndeshjen me Turbinën. “Panorama Sport” disponon pikat me të cilat klubit vlonjat do të përballet në FSHF. Së pari, klubi jep shpjegime për çështjen e fanellave. Burime pranë drejtuesve të Flamurtarit pohojnë për gazetën se nuk është e vërtetë që fanellat kanë ardhur nga Fieri. Sipas tyre, janë përdorur fanellat e nxehmjes.

Flamurtari-Turbina

“Stafi i Turbinës ka kërkuar që t’i shënonte numrat me ngjyra, por zyrtarët e ndeshjes nuk e kanë lejuar një gjë të tillë. Në këto kushte, ka qenë trajneri Marcelo Troisi ai që i ka çuar fanellat në një pikë stampimi në Vlorë, afër stadiumit. Klubi disponon foto të Troisit me fanella në duar, por gjithçka mund të verifikohet edhe nga kamerat e sigurisë të stadiumit”, tregojnë burime në klub për gazetën. Por, çështja bëhet edhe më serioze kur më tej burimet i referohen rregullores së FSHF-së, kreut V,

“Identifikimi dhe uniformat e lojtarëve”, neni 61, në faqen 55 të rregullores në rubrikën “Uniformat”, ku thuhet që çdo klub duhet të sigurojë dhe të mbajë në gjendje funksionale 3 (tri) uniforma të ndryshme, një për ndeshjet në shtëpi (uniforma zyrtare) dhe tjetrën për ndeshjet në transfertë (uniforma e dytë).

Logoja e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë duhet të shënohet në mëngën e majtë të secilës uniformë, gjë që sipas Flamurtarit te fanellat e Turbinës nuk ishte. Jo më vonë se 3 (tri) javë përpara fillimit të sezonit futbollistik, çdo klub duhet të regjistrojë uniformat përkatëse duke i plotësuar dhe dorëzuar pranë FSHF-së. Por, uniformat me të cilat Turbina luajti në Vlorë, nuk ishin të regjistruara në FSHF. Nëse në zbatim të këtij neni, një klub kërkon të regjistrojë një uniformë që nuk përmbush përcaktimet në këtë rregullore:

a) FSHF do të njoftojë me shkrim klubin në shkelje dhe do t’i japë një afat prej 7 (shtatë) ditësh klubit përkatës për të plotësuar mangësitë në uniformën e dorëzuar për regjistrim. Ndërsa në pikën 9 thuhet se të paktën 4 (katër) ditë përpara zhvillimit të ndeshjes zyrtare, klubi mik duhet të njoftojë klubin vendës për uniformën që do të veshë.

Ndërsa pika 10 thotë se asnjë klub nuk mund të luajë ndonjë ndeshje, dhe për asnjë arsye, nëse lojtarët përkatës nuk veshin ndonjë nga uniformat e miratuara më parë me shkrim nga FSHF-ja, ku edhe kjo nuk ka ndodhur.

PROTOKOLLI – Një ndër pikat kyçe, me të cilën Flamurtari është i sigurt se e fiton ndeshjen në tavolinë, lidhet me protokollin. Burime pranë klubit thonë për gazetën se stafi teknik i Turbinës grisi protokollin e parë.

Protokolli i dytë doli 45 minuta me vonesë dhe kishte shumë parregullsi, ku nuk përputheshin numrat me emrat e lojtarëve në fushë e stol. Ky protokoll iu shpërnda tribunës qendrore dhe gazetarëve. Në klubin vlonjat bëjnë habi se si ka mundësi që delegati nga Fieri, Maksim Goga, nisi ndeshjen në këto kushte.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"