Falsifikime dhe probleme fushash, Sulejman Mema kritikon sistemin e FSHF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2017 | 18:03

Falsifikime dhe probleme fushash, Sulejman Mema kritikon sistemin e FSHF-së

Çdo javë e më shumë që luhet në elitën e futbollit shqiptar dalin në pah problematika që kanë të bëjnë me arbitrime që vendosin fatet e ndeshjeve. Në ligat më të ulëta, infrastruktura e munguar në qytete të caktuara është një nga shkaqet e uljes së cilësisë së lojës. Ndërkohë, aty ku është e ardhmja dhe po kultivohet futbolli shqiptar i perspektivës, ka shqetësime të gjithfarëllojshme. Disa prej tyre u diskutuan dje në një tryezë bashkëbisedimi ku të pranishëm ishin trajnerë, specialistë të futbollit të fëmijëve, si dhe prindër.

1

Duka – Gjatë fjalës së tij, kreu i FSHF-së e konsideroi prioritet investimin për fëmijët. “Do të vihet një sistem licencimi për të gjithë futbollin e fëmijëve, duke filluar nga mosha 7 vjeç për të ndryshuar tashmë në një stad të ri të zhvillimit të futbollit”, ishte theksi i fjalës së presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në tryezën me temën “Gjithçka për fëmijët”.

Duka

Debati – Mirëpo, kur gjatë diskutimeve erdhi radha e fjalës për profesor Sulejman Memën, i cili prej disa vitesh është i përqendruar në punën e tij te futbolli i moshave, shembujt e tij konkretë nga përditshmëria e këtij niveli futbolli ishin të tepërt për FSHF-në dhe u desh vetë ndërhyrja e presidentit Duka për t’i ndalur fjalën. “Më pëlqen iniciativa dhe më vjen mirë sepse po merrem prej disa vitesh me sistemin e të rinjve. Është pozitive. Nëse nuk ju vjen keq, dua të them disa probleme që kanë ndodhur, kryesisht te liga amatore, pasi ajo profesioniste është disiplinuar shumë. Te fëmijët, ku rregulli duhet të jetë akoma më i fortë, është pjesa më pak e disiplinuar”, tha fillimisht Mema.

Problemi – Më tej, ai vijoi me të tjerë shembuj. “Konkretisht, ndodh lejimi i fëmijëve të moshave më të mëdha që të aktivizohen në një moshë të vogël. Më ka ndodhur disa herë diç- ka e tillë që ta vërej vetë, kur portieri i skuadrës U-13 e godiste topin më shumë sesa portieri i Kombëtares. Kjo duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë, sepse sjell pasoja shumë negative te fëmijët. Së pari këto më të rritur i dëmtojnë keq fëmijët. Së dyti, të ketë dënime maksimale për trajnerë të tillë mashtrues”, u shpreh Mema.

Mema

Sistemi – Më tej, gjatë fjalës së tij, Sulejman Mema ngriti shqetësimin e sistemit të federatës me të dhënat që nuk funksionon. “Ka diçka tjetër që është shumë thelbësore. Para dy vitesh, kur isha trajneri i një ekipi moshash, ndihesha mirë kur shihja tabelën e renditjes me golavarazhin dhe të gjitha të dhënat e mundshme. Që në mëngjes blija gazetën, apo ishin edhe te portali i federatës. Tani nuk ekziston më dhe nuk ka një tabelë apo kalendar të rregullt”, ishte një pjesë e shqetësimeve të përditshme të ngritura nga Mema, ndërkohë që presidenti Duka i ndërhyn dhe i ndërpret argumentin.

Cana, Duka dhe Shulku

Debati – “Profesor, të gjitha problemet do t’i zgjidhim. Por duam të marrim nga një opinion nga të gjithë. Ajo që thoni ju duhet të eliminohet. Se si eliminohen, ne e kemi menduar që bëhet kështu siç thamë ne me anë të një sistemi licencimi”, ka argumentuar presidenti i FSHF-së, për të ndërprerë ligjërimin e problematikave konkrete, ndërkohë që Mema mbylli: “Ishin vetëm disa problematika të prekshme që duhen zgjidhur”.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"