Faliment e krim ekonomik, kampionët të harruar. Sporti shqiptar në pikë të hallit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2019 | 22:14

Faliment e krim ekonomik, kampionët të harruar. Sporti shqiptar në pikë të hallit

Të shikosh një kampion Europe në peshëngritje, që ankohet se nuk merr një shpërblim gati modest në raport me vendet e tjera, është dhimbje e madhe.

shkb tirana

Po, nëse ndokush e ka harruar, Shqipëria ka fituar medalje të artë në kampionatin europian të peshëngritjes. Është kulmi se si nuk duhet trajtuar një sportist i elitës. Dikush mund të thotë ka gjithmonë keq e më keq. Po. Rasti më i keq është ai i ndodhur në basketbollin e femrave.

Ekipi i SHKB Tirana, skuadra e shpallur kampione në basketbollin për femra, nuk është regjistruar fare në kampionatin pasardhës. Bashkia i prishi kontratën dy vite më parë, por në vitin e shkuar, edhe pse mes problemesh të shumta, ia dolën që të shpallen kampione. Këtë vit nuk arritën të regjistrohen fare vetëm prej pamundësisë ekonomike.

SPORTI NË SHQIPËRI

Po çfarë ndodh me sportin në Shqipëri? Si është situata e kampionëve apo edhe e klubeve që kanë bërë histori? Çfarë ndodh në futboll, volejboll e gjithkund ku bëhet sport? “Panorama Sport” sjell një vështrim të përgjithshëm të situatës therëse që ka kapluar sot sportin në Shqipëri, për t’u thelluar në situatën aktuale. Problemi nis që me faktin që nuk investohet te sportistët e elitës.

Xhevahir Sukaj Flamurtari

Mirëpo, jo vetëm që nuk investohet, por këta lloj sportistësh i mërzisim, i demotivojmë dhe i lëmë në harresë. Në vend që t’i bëjmë një trajtim special, siç edhe e meritojnë për rezultatet që kanë, në mënyrë që të jenë shembull edhe për të rinjtë apo edhe për sportistët e tjerë, qoftë në sporte individuale, apo qoftë në ato kolektive. E duke qenë se është diskutuar shumë për ligjin e sponsorizimeve, i cili mund të jetë një nga zgjidhjet e mundshme të problematikës në sport, atëherë po nënvizojmë situatën edhe në sportet e tjera, apo edhe në sportin më popullor, futbollin.

SITUATA NË SPORT

Duke ngritur këtë temë diskutimi, për ndokënd që i lind e drejta për të pyetur se si është gjendja e sportit sot, ja disa nga përgjigjet:

Së pari, sporti është në situatën që ne kemi probleme të theksuara me sportistët e elitës. Nuk është vetëm Briken Calja që ngre alarmin, pasi është edhe Luiza Gega e cila ndër të tjera shprehej për “Panorama Sport” disa ditë më parë se ata trajtoheshin në mënyrë qesharake.

briken-calja-1-1

Së dyti, sporti sot është në situatën që, sporti më popullor në vend është në krizë. Për t’u ndalur pak. Nuk është çështja vetëm që u ndërtuan tri stadiume dhe u rregullua gjithçka. As nëse u përfundua apo jo stadiumi i ri kombëtar.

luiza gega

FUTBOLLI, NË FALIMENT

Situata në futboll, me problematikat e saj, është shumë më e mprehtë sesa vetëm ndërtimi i disa impianteve moderne. E për ta vërtetuar këtë, mjaft të kujtosh që gjysma e klubeve të Superiores sot është në faliment. Kjo është çështja.

Flamurtari është një klub që praktikisht është i falimentuar. Skuadër që nuk paguan futbollistët apo stafin prej më se një viti dhe vazhdon të regjistrohet në elitë.

Skënderbeu, është klubi më i dënuar në Europë për çështjen e vërtetësisë së rezultateve. Momentalisht i ka dalë bashkia për zot… Të mendosh që bëhet fjalë për klubin i cili ka dominuar totalisht në dekadën e fundit në elitën e futbollit shqiptar.

elbasani

A ka të tjera? Tirana! Bardheblutë, me gjithë shlyerjet pa fund, shifra të stërmëdha, disa mijëra euro e në mos më shumë borxhe të likuiduara nga Refik Halili, sot realisht është një klub me llogari të bllokuara.

Vllaznia, sot është një nga skuadrat që për fat të keq paguan të huajt, por jo vendësit…

KLUBET ELITARE, DREJT HARRESËS

E ndërsa gjen të tilla probleme në elitën e futbollit, kategoritë më të ulëta duhet të jenë edhe më keq akoma. Në fakt, është realitet: Klube historike janë drejt harresës. Për këtë mjafton që të shohësh se si është katandisur Elbasani sot. Apo Tomori? Skuadër në Kategorinë e Dytë, e cila në renditjen e përgjithshme i bie në të Tretën.

BILANCET

Mjafton që të bëhet një kontroll real në klubet e futbollit, shumica e tyre dalin jashtë të gjitha normave financiare. E si për të mos mjaftuar vetëm me futbollin, alarmi ngrihet edhe në lojërat me dorë.

24 ORË UDHËTIM ME AUTOBUS

Të tjera raste? Po, kombëtarja e volejbollit për meshkuj bëri 24 orë udhëtim vajtje-ardhje në Austri, kur kishte ndeshje vendimtare për kualifikim. Ja çfarë trajtimi pati…

ZGJIDHJA

Shumëkush trumbeton me të madhe që ligji për sponsorizimet dhe ndryshimet e reja ligjore mund të jenë zgjidhja. Po realisht çfarë ndodh? Në vendin tonë ka federata krejt të paorganizuara, të cilat duhet të bashkojnë zërin e problematikave që hasin për të kërkuar dhe ushtruar disi presion, deri edhe t’i imponohen shtetit për të miratuar ndryshimet e nevojshme. KOKSH-i është një organizatë e cila si ombrella e federatave ka përfunduar nën hetim nga Krimi Ekonomik, pas abuzimit me bursat. Pra, ky është sporti sot dhe është e kotë që të pyesësh se pse janë rikthyer të luhen ndeshjet të premteve, me drita dhe pa tifozë…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"