FAKSIMILE/ Sporti në Shqipëri në “përpëlitje”, 11 federata i drejtohen ministres Shahini: Kërkojmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 0:33

FAKSIMILE/ Sporti në Shqipëri në “përpëlitje”, 11 federata i drejtohen ministres Shahini: Kërkojmë…

Sporti në Shqipëri është në kolaps total. Sikur të mos mjaftonte zvarritja e miratimit të ligjit për sponsorizimet në sport, nuk është alokuar as Fondi Grant nga Ministria e Sporteve. Kjo ka detyruar 11 federata që t’i drejtohen me një letër ministres Besa Shahini që të bëjë të mundur zhbllokimin e Fondit Grant.

Aq e rëndë është situata, saqë nuk janë paguar ende pagat e dhjetorit 2019 dhe kanë nisur gjobat nga “Sigurimet Shëndetësore dhe Shoqërore” për mungesë likuidimi. Drejtuesit e Mundjes, Atletikës, Volejbollit, etj, kërkojnë gjithashtu edhe formimin e një Drejtorie Sportesh në Ministri (u shkri ajo që ishte tri vite më parë) si dhe MASR të bëjë një Akt Marrëveshje me bashkitë për të krijuar lehtësira financiare me objektet sportive të cilat i kanë në pronësi për aktivitete kombëtare.

besa shahini

Ja kërkesa e 11 federatave për ministrinë:

E nderuar znj.Ministre. Në emër të Federatave Sportive ju shprehim nderimet tona në punën tuaj të përditshme. Ashtu si ju duhet të jeni në dijeni, buxheti që alokohet për llogari të sportit shqiptar dhe Federatave Sportive të të gjitha sporteve, nëpërmjet Fondit Grant Transfertë, i cili mundëson vijimësinë e punës së tyre si organizata kombëtare sportive, sot e kësaj dite akoma nuk është përcaktuar nga ana e ministrisë tuaj dhe në llogaritë e federatave pranë degës së thesarit nuk është çelur Fondi Grant i vitit 2020, ndërkohë që veprimet tona të fundit me thesarin janë mbyllur në datën 13 dhjetor 2019. Për sa më sipër, si pasojë e mungesës së fondeve deri në ditën e sotme, datë 20 janar 2019 ne jemi të paralizuar në:

1. Planifikimin e kalendarit të aktiviteteve të këtij viti, si vit shumë i rëndësishëm Olimpik dhe pamundësinë e përgatitjes së sportistëve elitarë për pjesëmarrje në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

2. Pamundësinë e pagesave të “fee”-ve të regjistrimit të ekipeve për pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare.

3. Pamundësinë e pjesëmarrjes së sportistëve elitarë në garat kualifikuese “Tokyo 2020”.

4. Mospagesa në kohë e detyrimeve të Federatave Sportive ndaj sportistëve elitarë.

5. Mungesë e pagës së muajit dhjetor 2019 për drejtuesit ekzekutivë “sekretarët e përgjithshëm” dhe punonjësit e federatave për pasojë të së cilës federatat ngarkohen me gjoba për likuidimin e detyrimeve të “Sigurimeve Shëndetësore dhe Shoqërore”) prej ditës së sotme).

E nderuar znj.Ministre,

Ne e konsiderojmë paradoksale trajtimin e sportit në tërësi dhe Federatave Sportive në veçanti, si shtojcë të pakonsiderueshme, apo si hallkën e fundit të zinxhirit, në problematikat e ndryshme në të cilat vendi përballet.

Federatave Sportive u duhet vazhdimisht të përballen me paqartësi dhe pasiguri në vijimësinë e punës së tyre, jo vetëm si rezultat i vonesave të këtij lloji të fondeve, por gjithashtu me pamundësinë e drejtuesve sportivë të tyre, duke qenë më të pasigurt dhe të pavlerësuar se një drejtues klubi sportiv në nivel bashkie, për të ushtruar normalisht detyrat në ecurinë e punës së tyre dhe në zhvillimin e karrierës personale, rezultat i diskutimit të pagave dhe kategorisë së tyre siç ka ndodhur në vite.

Problematikat tona janë agravuar pas heqjes së Drejtorisë së Sporteve duke na përballur me mungesën e komunikimit të drejtpërdrejtë.

Duke besuar se institucioni juaj duhet të jetë përgjegjës për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe hartimin e politikave që do të siguronin ecurinë normale të federatave dhe sportit shqiptar, kërkojmë një takim me Federatat Sportive në një datë sa më të afërt, me prezencën tuaj, në të cilin do të sugjeronim trajtimin e disa çështjeve:

1. Krijimin e Drejtorisë së Sportit pranë institucionit tuaj.

2. MASR të bëjë një Akt Marrëveshje me bashkitë për të krijuar lehtësira financiare me objektet sportive, të cilat i kanë në pronësi për aktivitete kombëtare. Ndërkohë, lutemi të ndërhyni sa më shpejt për çeljen e fondeve për Federatat Sportive.

Me respekt Federatat Sportive të: Atletikës, Mundjes, Peshëngritjes, Çiklizmit, Qitjes, Shahut, Karatesë, Xhudos, Volejbollit, Alpinizmit dhe Notit.

8

9

ARTIN LLESHAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"