Evangjelia Veli kampione Europe, Gjoza: Do të na dhurojë medalje edhe në Paris

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2022 | 21:57

Evangjelia Veli kampione Europe, Gjoza: Do të na dhurojë medalje edhe në Paris

Shumë i gëzuar pas rezultatit historik të Evangjelia Velit u shfaq edhe Elez Gjoza. Presidenti i FSHP-së e komentoi kështu garën që i solli dy medalje ari dhe një argjendi Shqipërisë:

veli

“Bëhet fjalë për një sukses të jashtëzakonshëm. Një rezultat që e prisnim, pasi vjen pas një pune kolosale të bërë nga vetë sportistja, por edhe nga federata, e cila i ka krijuar kushte shumë të mira për arritjen e këtyre rezultateve. Ishim të sigurt për zonën e medaljeve, por Evangjelia tregoi një formë të jashtëzakonshme dhe realizoi një garë spektakolare, si asnjë herë tjetër me 6 prova të suksesshme, pa dështuar asnjë”, tha Gjoza, i cili me tej shtoi:

“Tani synimet tona me Evangjelinë janë që të vazhdojmë stërvitjen për Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, që ajo të jetë e para medaliste olimpike për Shqipërinë. Sot u këndua himni shqiptar, ku tregojmë edhe një herë që jemi një vend i vogël, por që dimë të bëjmë aktivitete të mëdha dhe të nxjerrim sportistë të mëdhenj, kampionë Europe. Gjithçka i takon Evangjelisë, por edhe bashkëpunimit të ngushtë që ka pasur federata me Komitetin Olimpik, me z.Ylli. Tashmë jemi bërë të gjithë bashkë dhe rezultatet flasin vetë.

ELEZ GJOZA 1

Kjo ishte një ditë e mrekullueshme për të gjithë shqiptarët. Mund të merrnim edhe medaljen e tretë në shtytje, por për të mos rrezikuar titullin kampion të Europës në dygarësh, mendova që duhet t’i ulnim 2 kg”, deklaroi Gjoza. Më tej, kreu i shtangës shqiptare foli edhe për garën e shumëpritur, kur në pedanë do të ngjiten Briken Calja dhe Erkand Qerimaj: “Më 31 maj në orën 20:00 do të kemi spektakël dhe pallati i sportit ‘Feti Borova’ do të flasë shqip. Tirana do të përjetojë emocione të jashtëzakonshme me këta dy sportistë. Është një kategori peshash ku garojnë sportistë të jashtëzakonshëm, por garën do ta dominojnë Calja dhe Qerimaj”.

Në fund Gjoza komentoi aktivitetin dhe vlerësimet e marra nga ndërkombëtarët: “Përshtypjet e sekretarit të përgjithshëm të federatës botërore, por edhe të federatës europiane janë të shkëlqyera. Siç edhe ata e kanë shprehur, është aktiviteti më i mirë i bërë ndonjëherë në të gjithë Europën. Kjo arritje nuk i përket vetëm FSHP-së, por vjen si fryt i një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm me bashkinë Tiranë, me një njeri si Erion Veliaj, i cili është gjithmonë i gatshëm”, përfundoi Gjoza.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"