Europiani U18, Shqipëria shfryn dufin me moldavet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2017 | 10:07

Europiani U18, Shqipëria shfryn dufin me moldavet

Pas pesë humbjeve radhazi, mes tyre edhe me shifra të turpshme, kombëtarja shqiptare në basketboll për vajza U18 arrin fitoren e dytë, në fakt të parën në parket pas asaj “aforfe” në debutim me Danimarkën. Skuadra e drejtuar nga trajneri Viron Toska shfryn dufin ndaj Moldavisë për vendet 21-24 pas serisë së zhgënjimeve në kampionatin evropian, Divizion B që po mbahet në Dublin.

Basketboll femra

Shqipëria shpërtheu me rezultatin final 101-61, duke mos u dhënë asnjë hapësirë bashkëmoshatareve kundërshtare për të bërë rezistencë. Shqipëria e vogël e femrave e dha sinjalin se kësaj here nuk kishin zgjidhje tjetër veç fitores, që në periodën e parë nën dominimin 19-3, 25-8, 32-10 për ta mbyllur.

Shqipëria bën gjithçka për ta blinduar këtë sukses pa u mbyllur pjesa e parë. Falë një loje bindëse, udhëheq me lehtësi 50-19, 56-23. Pa histori luhet edhe perioda e tretë me shqiptaret gjithë kohës nën superioritet, madje duke mos u kursyer as thellimin e shifrave 67-30, 77-37. Fatet e ndeshjes ishin mësuar me kohë, por Shqipëria insiston me të gjitha forcat për të shkuar në kufijtë e fitores treshifrore.

Shqiperi-Moldavi basketboll femra

Dhe sulmet e shumta të lojtareve tona do të konkretizohen një minutë e një sekondë nga fundi i krejt ndeshjes. Koshi i Lamaj regjistron pikën e 101, ndaj 61 të moldaveve. Rezultat ky që mbetet i pandryshuar deri në mbylljen e ndeshjes. Një sukses i merituar i skuadrës shqiptare, e cila deri një ditë më parë, ishte zhytur në rekorde negative në këto kualifikuese europiane.

Kombetarja u18 basketboll

Pikëshënjuesja më e mirë e shqiptareve ishte Baraj me 22 pikë. Gjithashtu, përcaktuese në triumfin e Shqipërisë ishin Toska me 20 pikë dhe Fekollari me 16 pikë. Shqipëria luan sot ndaj Maqedonisë në orën 14:45, në ndeshjen për vendet 21-22.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"