Europiani U-16, Shqipëria debuton me humbje në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2019 | 21:08

Europiani U-16, Shqipëria debuton me humbje në shtëpi

Shqipëria, organizatori i Europianit U-16 për meshkuj, dje ka ngritur siparin e këtij aktiviteti, i cili do të zhvillohet mes datave 14-21 korrik dhe do të shohë protagonistë 9 përfaqësuese.

Shqiperia U16 Europiani Basket

Djemtë kuqezinj janë pjesë e Divizionit C në këtë Europian dhe në Grupin B do të kenë si rivalë Skocinë (debutuan dje kundër tyre), Moldavinë, Luksemburgun dhe San Marinon. Ndërkohë, në Grupin B do të bëjnë pjesë Uellsi, Gjibraltari, Malta dhe Andorra, ndeshje që do të zhvillohen në sallën sportive “Feti Borova”, por edhe në “Farie Hoti”.

CEREMONIA E HAPJES

Në praninë e të gjitha kombëtareve pjesëmarrëse u zhvillua dhe ceremonia e hapjes së aktivitetit, ku fjalën e parë e mori presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

avni ponari

Numri një i koshit shqiptar përshëndeti të gjitha skuadrat pjesëmarrëse dhe u uroi fat në këtë turne, ku Shqipëria kërkon të japë një shembull si në organizim, ashtu sikurse në rezultate. Përveç Ponarit përshëndeti edhe kryekomisari Kislason, duke uruar ndeshje të bukura, “Fair Play” dhe rivalitet.

E NISIM ME HUMBJE

Ndeshja hapëse, sipas shortit të hedhur, vuri në skedë duelin mes Shqipërisë dhe Skocisë, një takim që fatkeqësisht për ne u mbyll me një humbje me rezultatin 90- 66.

Shqiperia U16 Europiani

Kombëtarja kuqezi, e cila drejtohet nga malazezi Aleksandër Çuroviç, kaloi shumë shpejt në disavantazh 8-0, ndërkohë që dy pikët e para për Shqipërinë në këtë Europian i takuan Jarecit, i cili më parë kishte humbur edhe dy gjuajtje të lira. Perioda e parë vë në pah superioritetin e miqve nga Britania e Madhe, ndonëse arritëm që të rivalizojmë me ata, deri në pak sekonda përpara fundit, duke regjistruar shifrat në 21-18, ndonëse fraksioni i parë regjistroi rezultatin final në 25-18.

Shqiperia U16 basketboll

Ndërkohë, edhe në dhjetëminutëshin e dytë nuk arrijmë asnjëherë që të kryesojmë, pavarësisht përpjekjeve të Kovaçit dhe Ramës, por edhe kjo periodë e dytë mbyllet në disavantazh 29-20 dhe e gjithë pjesa e parë me rezultatin 54-38. Kombëtares sonë duket se i bën mirë pushimi dhe e nisim periodën e tretë me disa gjuajtje të sakta të Cukës dhe Tahirit, por ky i fundit, në momentin më të mirë të tij, ku bëri diferencën në mbrojtje, dëmtohet në gju dhe largohet nga parketi.

Shqiperia

Pa qendrën tonë, kuqezinjtë humbin një pikë të fortë dhe perioda e tretë mbyllet me disavantazhin e thellë 22-11. Në fraksionin e katërt dhe të fundit, trajneri Çuroviç lëshon në fushë Thanasin, i cili vë rregull menjëherë në fushë, mori skuadrën mbi shpatulla së bashku me Vokshin dhe arritën që të paktën ta mbyllin me nder këtë duel, duke fituar 14-17 periodën e fundit dhe duke vulosur shifrat finale në 90-66, të cilat fatkeqësisht vulosin humbjen tonë të parë.

Ndeshjet e Shqiperise 2

Gjithsesi, edhe pse Skocia e konfirmoi që në sekondat e para nivelin e saj të lartë, shpresohet që Shqipëria të dijë ta kapërcejë këtë disfatë dhe të rikthehet më e bindur mbi cilësitë e saj, ditën e nesërme, kur përballë do të kenë Moldavinë.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"