Europiani, Shqipëria gjen më në fund fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2017 | 13:23

Europiani, Shqipëria gjen më në fund fitoren

Më në fund kombëtarja shqiptare në basketboll për djem U18 thyen tabunë e fitoreve në Kampionatin Europian, Divizioni B, eliminatoret e së cilës po mbahen në Talin të Estonisë. Pas gjashtë humbjeve radhazi, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Mired Jani rigjejnë buzëqeshjen ndaj Irlandës në ndeshjen për vendin 21-24.

kombetarja basketboll

Në fundin e një pasditeje dramatike, Shqipëria del fituese me rezultatin e përgjithshëm 82-75, ku pa dyshim heroi i kësaj ndeshjeje është basketbollisti i Tiranës, Eldi Hysa, me trepikëshat e shënuar “in extremis”, që i dhanë edhe suksesin e shumëpritur.

Eldi Hysa

Ashtu si në precedentin e vetëm të mëparshëm ndaj këtij kundërshtari të fituar gushtin e kaluar me një pikë diferencë 69-68, edhe në këtë përballje “revanshi” përfaqësuesja kuqezi ka respektuar parashikimet, por sërish me “dorë në zemër”. Shqipëria tregon forcën që në periodën e parë të fituar në shifrat 20- 14. Edhe në vazhdim skuadra shqiptare ka takimin nën kontroll, duke udhëhequr gjatë gjithë kohës 32-24, 42- 32.

Shqiperia basketboll

Të besuarit e teknikut Jani nuk duan për asnjë moment të mos e shpërdorojnë këtë mundësi të artë për të festuar, kësisoj thellojnë shifrat në +13 pikë (53-40) pas trepikëshit të shënuar nga Dedolli dhe dy pikëve të Hysës, dueti protagonist i kësaj pasditeje europiane. Në disavantazh të konsiderueshëm trajneri Xhejms për miqtë e sheh të arsyeshme të sinjalizojë “time out” për të freskuar të tijtë e për të dhënë këshillat e radhës.

Ndërkohë perioda e fundit ka qenë më e bukura. Shqipëria kalon në një “dehje” dhe irlandezët përfitojnë duke rihapur gjithçka në -5 pikë (68-63), kur luhej gjysma e periodës. Pas një avantazhi të pjesshëm të thellë 17- 10, Irlanda i çon shifrat tashmë në -3 pikë (68-65), duke e bërë edhe më drithërues si takim. Madje, Ring vendos ekuilibrat në pikën e 68-të pas një trepikëshi.

Shqiperi - Irlande basketboll

Fatmirësisht, kjo përmbysje nuk i demoralizon të rinjtë kuqezi, që në dy aksione “flash” shkëputen në 73-68, kur luhej 1 minutë e 41 sekonda nga fundi. Irlandezët kërcënojnë sërish dhe ngushtojnë rezultatin 73-72. Tabela elektronike tregon vetëm 50 sekonda lojë, e mjaftueshme për çdo mrekulli nga të dyja kampet.

Hysa tregon klasin e kampionit me një “bombë” për tri pikë, duke i dhënë frymëmarrje skuadrës, përfituar edhe nga pushimi i radhës i thirrur nga pankina rivale. Hysa dhuron një “magji” tjetër trepikëshe, ndërsa dy gjuajtjet e lira të Dedollit vulosin përfundimisht edhe triumfin e merituar të Shqipërisë.

Më i mirë për tanët ishte Hysa me 21 pikë të realizuara, 5 topa në tabelë, 9 asiste. Përcaktues në fitoren e djeshme të Shqipërisë ka qenë edhe kontributi i Dedollit, autor i 17 pikëve të realizuara. Legjitim festa e kuqezinjve, të cilët rikthehen mëngjesin e sotëm, në orën 10:00, në takimin me Azerbajxhanin për vendin 21-22

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"