Europiani, Qypi: Ndaj Italisë luajmë në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2015 | 21:41

Europiani, Qypi: Ndaj Italisë luajmë në mbrojtje

igena qypiShqipëria ka vijuar përgatitjet për eliminatoret e kampionatit europian në basketboll për femra, të vlefshme për Grupin C. Gara kontinentale për përfaqësuesen kuqezi të drejtuar nga trajneri Erdal Borova dhe asistentja Elvira Xhyra ngre siparin të shtunën e 21 nëntorit në një transfertë të vështirë siç është ajo me Italinë. Ndërsa më 25 nëntor Shqipëria do të udhëtojë në Podgoricë në takimin me Malin e Zi.

Në prag të premierës, një nga basketbollistet e kombëtares, e “abonuar” me fanellën kuqezi që prej 2004-ës me moshat, Igena Qypi, u shpreh për “Panorama Sport” se ndaj Italisë do të kërkojnë të bëjnë një mbrojtje të fortë. Sa u përket përgatitjeve, sipas talentes kuqezi, ato po kryen të alternuara mes përgatitjes fizike dhe taktike. “Faza përgatitore po shkon shumë mirë. Deri tani kemi zhvilluar nga 2 seanca stërvitore në ditë të alternuara mes përgatitjes fizike dhe taktikës. Mund të them se ndryshimi mes këtij grumbullimi dhe atyre të mëparshmeve është se kësaj here jemi duke u përgatitur vetëm për 1 ekip siç është Italia. Të gjitha vajzat janë në formë, pasi sapo ka përfunduar faza e parë e kampionatit”, u shpreh fillimisht 25-vjeçarja Qypi, 1.79 metra e gjatë. Një nga risitë e këtij grumbullimi ishte limiti i moshës i vënë deri 30 vjeç për lojtaret e kombëtares. Për Qypin, kjo ishte një zgjedhje e duhur me argumentin se ka shumë vajza të reja me dëshirë e vullnet për t’u stërvitur.

“Kriteri i moshës është më se i drejtë për mendimin tim sepse është një frymë e re dhe me vajza që kanë dëshirë për t’u stërvitur. Ndaj besoj se do të japin më të mirën në këto ndeshje. Sigurisht që Italia është një ndër ekipet më të forta në Europë, ndaj ne jemi duke u përgatitur për të bërë një mbrojtje të fortë. Do të japim maksimumin për t’u përfaqësuar sa më denjësisht”. Për Qypin, nuk mbeten pas as ambiciet në kampionatin shqiptar ku këtë edicion mban veshur fanellën e debutueseve të Goga Basket. Qypi thekson se objektivi i skuadrës është kualifikimi në “play off”, pse jo pretendon të fitojnë edhe titullin kampion. “Goga Basket është një ekip që i ka objektivat e qarta këtë vit. Synimi ynë është faza ‘play off’ dhe pse jo titulli kampion, pasi kemi një ekip në konsolidim e sipër. Gjithashtu, kemi një mbështetje të fortë nga bashkia dhe sponsori. Rival pa dyshim që do të jetë Tirana dhe Flamurtari”, deklaroi Qypi, titullare në radhët e durrsakeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"