Europiani në Tiranë, presidenti Ilir Meta jep garanci

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2017 | 11:04

Europiani në Tiranë, presidenti Ilir Meta jep garanci

Ajo e djeshmja ka qenë një ditë e madhe për sportin e peshëngritjes, pasi delegacioni i zyrtarëve më të lartë të peshëngritjes europiane, presidenti Antonio Urso, sekretari i Përgjithshëm, Hasan Aku, si dhe anëtari i kryesisë së kësaj federate e njëkohësisht dhe president i federatës së peshëngritjes në Kosovë, Astrit Hasani, kanë marrë garancinë e shtetit shqiptar për zhvillimin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes për të Rritur, që do të zhvillohet në Tiranë, në muajin mars 2018.

Meta dhe Urso

Ata janë shoqëruar nga presidenti i federatës sonë të peshëngritjes, Elez Gjoza. Vizita e parë e tyre ka qenë në presidencë, ku janë pritur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dhe kanë mbetur mjaft të kënaqur prej tij. Delegacioni europian është befasuar nga presidenti Meta, i cili ka shprehur konsideratën që ka për sportin e peshëngritjes, duke qenë se në të shkuarën e tij ka qenë një peshëngritës i shkëlqyer në stilin e shkëputjes për dy vite.

Pas takimit, ata jo vetëm që kanë mbetur të emocionuar, por dhe e kanë vlerësuar pritjen dhe rolin e garancisë që presidenti Meta dha për këtë Europian. Gjatë takimit në presidencë, Meta vlerësoi rolin e z. Urso në drejtimin e Federatës Europiane të Peshëngritjes dhe e falënderoi për mbështetjen dhe vlerësimin që ka dhënë për peshëngritjen shqiptare, si dhe të arritjeve të saj në arenën europiane.

Antonio Urso

Gjithashtu, Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, e falënderoi presidentin Meta për kujdesin e tij ndaj kësaj disipline sportive dhe e njohu me vendimin për organizimin në Shqipëri të Kampionatit Europian të Peshëngritjes për të rritur, që do të zhvillohet në mars 2018, duke shprehur besimin se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për organizimin me dinjitet të këtij aktiviteti.

Më pas, delegacioni europian i peshëngritjes ka bërë një vizitë në Bashkinë e Tiranës, e cila, nëpërmjet kryetarit të saj, Veliaj, i ka bërë me dije plotësimin e të gjitha kushteve që ky aktivitet të zhvillohet normalisht duke vënë në dispozicion sallën sportive “Feti Borova” në “Olimpik Park”.

Menjëherë delegacioni ka parë edhe sallën sportive, e cila plotëson të gjitha kushtet që kërkon zhvillimi i një Europiani. Pas kë- tyre takimeve dhe vizitave, krerët e delegacionit europian të peshëngritjes kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku delegacioni (kryesohet nga presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, dhe sekretari i Përgjithshëm, Hasan Akussi dhe kreu i peshëngritjes kosovare, Astrit Hasani, bashku me presidentin e peshëngritjes shqiptare, Elez Gjoza) ka zyrtarizuar lajmin për organizimin e kësaj ngjarjeje kaq të madhe për këtë sport.

ABDULLA DUSHKU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"