“Europa, një vitrinë e suksesshme për Laçin”, Ardit Deliu: Anderlehtin e befasuam për 30 minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2021 | 9:41

“Europa, një vitrinë e suksesshme për Laçin”, Ardit Deliu: Anderlehtin e befasuam për 30 minuta

Humbja në shifrat 3-0 e Laçit ndaj Anderlehtit në “Elbasan Arena”, ka mbyllur në njëfarë mënyrë shpresat për të bërë mrekullinë në Europë, edhe pse në futboll asnjëherë nuk mund të thuash kurrë. Gjithsesi, për mesfushorin, Ardit Deliu, deri para pësimit të golit ekipet nuk patën shumë diferenca në fushë, me Laçin që po mbrohej mirë.

Ardit Deliu

Për “Panorama Sport” ai pohoi se pas golave, gjithçka u bë më e vështirë përballë një ekipi si Anderlehti, me kundërshtarin që diti të menaxhojë avantazhin. “U munduam që në fillim të mbroheshim mirë, t’i rrezikonim me kundërsulme dhe të mos linim hapësira.

Deri në minutën e 30-të mendoj që kemi bërë mirë, por pas dy goditjeve standarde arritën të na godisnin. Më pas normalisht me një rezultat 2-0 ndaj një ekipi si Anderlehti, gjërat bëhen shumë të vështira. Në qoftë se do të tregoheshim më të kujdesshëm te goditjet standarde, besoj që edhe mund ta çonim deri në fund ndeshjen pa gola, por gjithsesi dhe fati nuk ishte me ne”, u shpreh fillimisht 23-vjeçari i laçianëve.

Në lidhje me mundësinë që patën lojtarët për të qenë në qendër të vëmendjes në këto ndeshje, ai pohoi se ishte një shans i mirë për të treguar potencialin e tyre, duke i konsideruar këto ndeshje në Europë si një vitrinë për ta. “Në tërësi të gjitha ndeshjet e Europës kanë qenë një vitrinë e mirë për ne. Ndeshjet me Podgoricën apo Krajovën, që kanë qenë ekipe shumë të forta, i kaluam me sukses. Por, është luajtur një ndeshje me Anderlehtin ku ne nuk mundëm të tregonim maksimumin dhe të gjithë potencialin që kemi”, vijoi më tej mesfushori.

Sa i përket ndeshjes së kthimit, ai pohoi se do të shkojnë të japin maksimumin, pavarësisht se të flasësh për kualifikim është një utopi. “Normalisht është e vështirë, pasi janë ekipe me cilësi të mëdha, por kemi akoma dhe një ndeshje.

Uroj që atje të bëjmë shumë më mirë dhe të paraqitemi sa më denjësisht dhe pse jo me rezultat pozitiv”, përfundoi futbollisti i Laçit, një nga mesfushorët më të mirë të kurbinasve në këto ndeshje të Europës, si edhe gjatë gjithë kampionatit që sapo lamë pas.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"