Europa i përket Realit, K.Ronaldo e pushton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2014 | 9:36

Europa i përket Realit, K.Ronaldo e pushton

Reali“I dashur Xhejms, mund të kesh qenë ylli i Botërorit 2014, por fenomeni i Realit të Madridit jam unë”. Kështu duhej sikur pëshpëriste dje Kristiano Ronaldo pas çdo goli që shënoi e festoi dje, duke i lëshuar një sinjal të qartë edhe drejtuesve të klubit pas shpenzimit të çmendur prej 80 milionë eurosh për kolumbianin. Në ndeshjen e parë zyrtare për këtë sezon, Kristiano Ronaldo i bën të gjitha vetë, dopietë që vulos shifrat finale në 2-0 dhe Superkupë e Europës që i shtohet palmaresit të Realit të Madridit. Edhe pse skuadra e Karlo Ançelotit dallohej qartë që ishte në gjysmën e kapacitetit të saj fizik, mjafton një fenomen si portugezi për të mundur i vetëm spanjollët e Seviljes, fituesit e Ligës së Europës, që ishin dorëzuar ende pa zbritur në fushë. “Mjaftonte Ronaldo dhe Bejli për të na trembur, imagjino edhe Krosin dhe Rodrigezin në formacionin e tyre”, theksonte trajneri Unai Emeri në vigjiljen e kësaj finaleje europiane.

REAL MADRID-SEVILJA  2-0
Golat: Ronaldo 30′, 49′
REAL MADRID (4-2-3-1) Kasijas; Karvahal, Pepe, Ramos, Koentrao (83′ Marselo); Modriç (86′ Ijarramendi), Kros; Ronaldo, Rodriguez (72′ Isko), Bejl; Benzema. Trajner: Karlo Ançeloti SEVILJA (4-2-3-1) Beto; Koke (84′ Figueiras), Pareha, Facio, Navarro; Karriço, Kryshoviak; Vidal (66′ Aspas), Suárez (78′ Rejes), Vitolo; Baka. Trajner: Unai Emery
KARTONË TË VERDHË: Karvahal 45′, Kros 53′ / Vitolo 42′, Navarro 66′
GJYQTAR: Mark Klatenburg (Angli)

Yje me shumicë Karlo Ançeloti nuk kursehet, por së bashku me Benzemanë hedh në fushë edhe blerjet e reja, Toni Krosin dhe Xhejms Rodrigezin, të cilët kishin vetëm një javë që punonin me pjesën tjetër të grupit. Nëse gjermani i ardhur nga Bajerni i Mynihut shpëton ndeshjen e tij me grintë e eksperiencë, kolumbiani duket sozia e shëmtuar e atij 22- vjeçari që mahniti botën, vetëm pak ditë më parë në Brazil. Ndërsa për të fituar takimin dhe trofeun e parë sezonal mjaftojnë Garet Bejl dhe lideri Kristiano Ronaldo, që shkatërrojnë mbrojtësit Koke e Navarro në çdo inkursion të tyrin.
Ronaldo zhbllokon Nëse Garet Bejl kishte parë rivalin Suarez që t’i bllokonte një top që do përfundonte në portë, në një tentativë ku të gjithë tifozët madrilenë thirrën për gol, pas gjysmë ore lojë ovacionet janë reale, sepse avantazhin e ofron i pagabueshmi. Ronaldo fillimisht pason për Bejlin në të majtë dhe më pas vrapon me 100 kilometra në orë për të kapur pasimin perfekt të uellsianit në zonë, pasi djeg në shpejtësi mbrojtësin Navarro. Reali ofron aksionin e parë të denjë prej kampionësh të Europës, por Sevilja zgjohet pas disavantazhit. Karriko shfrytëzon një gafë të shëmtuar të Xhejms Rodrigezit dhe sulet drejt Kasijasit, por portieri që sheh kudo fantazmën e Kejlor Navasit, një kostarikan që ka ardhur për t’i rrëmbyer vendin e titullarit, ndonëse këto janë dy emocionet e vetme që ofron pjesa e parë.
Sërish ai… Për të blinduar suksesin Realit i nevojitet edhe një gol tjetër, sepse këmbët e madrilenëve janë ende shumë të rënda dhe pjesa e dytë mund të fshehë ndonjë surprizë të pakëndshme. Sinjali ishte i qartë, por reagimi është edhe më i shpejtë sesa iu desh Karlo Ançelotit për t’ia transmetuar skuadrës së tij në dhomat e zhveshjes. Prandaj, me të zbritur në fushë, “CR7” ndez “motorët” duke lëshuar një “predhë” nga e majtë që “këput” duart e portierit Beto. Kampionët e kontinentit mund të festojnë përpara kohe, pasi ai, Kristiano Ronaldo, mund të festojë golin e 254- t në 247 ndeshje me “galaktikët”, të 18-in kundër Seviljes dhe të nëntin përballë portierit Beto. Edhe pse deri në fund të takimit ka mbetur një pjesë loje për t’u mbyllur, Reali di t’i bëjë mjaft mirë “burokracitë” në fushë, me Karlo Ançelotin që fiton trofeun e dytë personal, me një buzëqeshje të madhe të stampuar në fytyrë e cila tregon siguri dhe vetëbesim se pas atij milanist, ky është një tjetër cikël fitues për “njeriun e qetë”…

Anceloti“Fitoren nuk e diskutoja, jemi më të fortë se vjet”
Për të dytën herë trajneri italian Karlo Ançeloti u përball ndaj Seviljes në Superkupën e Europës. Në vitin 2007 fitoi me Milanin dhe dje triumfoi me Realin. Gjatë konferencës për shtyp, ai deklaron se nuk e kishte vënë në dyshim fitoren. Sipas tij ky rezultat erdhi edhe si rrjedhojë e besimit të fituar nga përforcimet. “Jam shumë i lumtur për këtë trofe. Nuk e kisha vënë në dyshim, por më vjen mirë që e merituam me lojë”, tha Ançeloti duke shtuar për Kasijas dhe përforcimet: “Për Kasijasin duket sikur po fillon një jetë e re. Ai ka fituar besimin e gjithë skuadrës dhe e tregoi vet në fushë. Ronaldo? Nuk kam fjalë si ta përshkruaj. Ai është njeriu i rekordeve dhe fitoreve. Por, vlen të përmendet edhe performanca shumë e mirë e Bejl dhe Benzema”.- Më pas italiani i thuri elozhe edhe përforcimeve: “Rodriguez dhe Kros i kanë dhënë më shumë siguri dhe besim skuadrës. Ndihemi më të sigurt dhe më mirë se vitin e kaluar”.

Ronaldo“Më mungonte vetëm Superkupa dhe e nderova siç duhej”
Kristiano Ronaldo i kishte munguar për shumë kohë medias së botës, sidomos pas një Botërori zhgënjyes, që e turbulloi jo pak figurën e tij. Por rikthimi i tij në fushë ka qenë ekzaltues, pasi me dopietën e tij e shndërroi Realin në kampionin absolut të Europës, por në të njëjtën kohë i shtoi karrierës së tij të vetmin trofe në rang klubesh që i mungonte. “Ky është një moment special për mua, sepse këtë trofe e kërkoja me çdo kusht, duke qenë se i mungonte kurrikulumit tim. Edhe pse nuk jemi ende në formën më të mirë, skuadra u përgjigj mirë në fushë, por çfarë është më e rëndësishmja, jam unë më i lumturi duke parë sfidën e djeshme. Më shumë sesa golat, që përbëjnë një krenari personale për mua, jam i lumtur për faktin që kam lënë pas një dëmtim të vështirë, i cili më detyroi në një Botëror që do kisha dashur ta luaja ndryshe. Por, tashmë këto kujtime të këqija kanë kaluar dhe unë shoh me optimizëm përpara. Një dedikim për trofeun dhe golat? Dua t’ua dedikoj tifozëve, të cilët na mbështesin në çdo cep të botës. Atyre, por edhe kësaj skuadre nuk mund t’i kërkojmë asgjë më shumë, pasi objektivi u përmbush me sukses, prandaj tani nuk na mbetet gjë tjetër që të punojmë në Madrid, për të kapur formën maksimale, përpara debutimit në kampionat. Mesi e Myler prapa meje? Jam i kënaqur, por nuk do ndalem me kaq, kam ende gola për të shënuar”, përfundoi deklaratën e tij Ronaldo.

Bejl“Ronaldo tregoi se ç’di të bëjë”
“Kristiano Ronaldo tregoi se çfarë di të bëjë. Edhe pse sot për mua gjëja më e rëndësishme është që fituam në një stadium si ky. Në Uells, në shtëpinë time”. Garet Bejli përgëzoi mbrëmë pas takimit kolegun e tij te Reali, por nuk harroi që të nënvizonte faktin se për të ajo që kishte më shumë rëndësi ishte kupa e ngritur nën qiellin e Kardifit. “Kushdo që vjen te Reali bën diçka të tillë pasi do të fitojë sa më shumë trofe dhe të luajë pranë lojtarëve më të mirë. Prej nesh priten shumë triumfe dhe për fat të mirë këtë sezon mund të fitojmë shumë të tillë”, vazhdoi 25-vjeçari. Në fund të fjalës së tij, Bejl pohoi se Realit i duhej edhe pak kohë për të funksionuar mirë si ekip për shkak të elementëve të rinj që shkuan këtë verë.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"