Europa dhe Fiore, Rino ka recetën e suksesit për Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2018 | 13:17

Europa dhe Fiore, Rino ka recetën e suksesit për Milanin

Edhe një ndeshje dhe për Milanin e tij do të jetë kohë bilancesh. Gatuzo nuk lëshon pe dhe kërkon vëmendje në këto 90 minuta të fundit që do të “flasin” qartë për të ardhmen kuqezi. Në kofnerencë për shtyp, trajneri trumbeton për vëmendjen e nevojshme në takime të tilla: “Jam më i shqetësuar sot sesa në javën kur kishim për të përgatitur finalen e Kupës. Nuk jam i qetë dhe nuk kam si të jem, pasi i njoh cilësitë dhe mentalitetin e Fiorentinës.

Gatuzo

Ata nuk kanë asgjë për të humbur dhe do të luajnë të lirë nga presionet”. Kurthi është përpara syve dhe Gatuzo e di që të tijve u kanoset rreziku për të mos e parë. “Deri tani janë shitur 55 mijë bileta, por unë nuk kisha dyshime mbi ngrohtësinë që do të na shfaqte publiku ynë. Më vjen inat kur dëgjoj të flitet për ndeshjen e fundit të sezonit, pasi pikërisht me Fiorentinën nis një sezon i ri për ne”, sqaroi Rino.

TË KRITIKUARIT – Milanin e pret një ndeshje sa delikate aq edhe çuditshme, pasi tifozëria ka jo pak kritika ndaj Donarumës dhe Kaliniçit, për të cilët Gatuzo ka kërkuar mbështetje. Siç sqaron edhe tekniku kuqezi: “Nikola dhe Xhixho janë pasuri të klubit dhe duhen përkrahur. Gjatë javës kanë punuar mirë, sidomos Donaruma. Në vend të tij ndonjëri do ishte tërhequr, ndërsa ai vazhdon punën me ritëm të lartë, ndaj meriton të vlerësohet”.

PREMTIMI– Stres nuk ka vetëm tekniku 40- vjeçar, por edhe skuadra. Vendi i gjashtë do t’i jepte tjetër impuls sezonit të ardhshëm. Gatuzo e njeh situatën dhe kërkon të sensibilizojë edhe të tijtë, duke thënë se: “Nëse mbërrijmë të shtatët, përveç humbjes ekonomike, do të kishim më pak pushime, më pak kohë për të punuar dhe mbi të gjitha do të nxitonim në çdo gjë që duhet të bëjmë. Dallimi i vendit të gjashtë dhe të shtatë qëndron në aspektin që mund të na ndryshojnë jetën, ndaj, nëse fitojmë, do të bëj 30 km në këmbë”.

Gatuzo-470x295
SEZONI – Ndaj Fiorentinës është akti i fundit i sezonit kuqezi të përbërë nga 57 ndeshje. Pengu i Rinos janë disa pikë të lëna rrugës dhe mënyra se si u humb finalja, teksa shpjegon: “Nuk duhet harruar se nga ku u nis kjo skuadër, megjithatë ndaj Beneventos, me gjithë respektin, nuk mund të linim katër pikë. Edhe në finale mund të bënim diçka më shumë, sidomos për hir të 35 mijë tifozëve që na kishin ndjekur deri në Romë. Ka pasur moment zhgënjimi, por nëse si lojtar e lëshoja disi veten, si trajner nuk mundem. Për nga lodhja e përjetuar këto muaj, më duket sikur kam 50 vite që drejtoj ekipin”.

Gatuzo
FORMACIONI– Sot do të mungojë Suso, por Gatuzo nuk ka ndër mend të ndryshojë asgjë. Shpjegimet e fundit të Rinos vijnë në lidhje me merkaton, ku disa lojtarë kuqezi përfliten si të ikur. “Kam folur me Suson dhe me sa më ka thënë nuk do të largohet, madje asnjë nga lojtarët e mi nuk ka ardhur të më kërkojë largimin. Për sa u përket prurjeve nuk do të ketë më shumë se 3-4, por me kusht që të jenë profesionistë në çdo aspekt”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"