EUROBASKET 2025/ Triumfi ndaj Luksemburgut, Bilali: Diferencën e bënë stoli dhe rikthimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2021 | 15:18

EUROBASKET 2025/ Triumfi ndaj Luksemburgut, Bilali: Diferencën e bënë stoli dhe rikthimet

Shqipëria e basketbollit të meshkujve e nisi në mënyrën më të shkëlqyer aventurën e saj në raundin e parë të paraeliminatoreve për “EuroBasket 2025”. Kuqezinjtë e Afrim Bilalit mundën disa ditë më parë Luksemburgun 92-89 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”. Një sukses që, përveç pikëve, e ka rritur shumë moralin në Kombëtare.  Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Afrim Bilali ka komentuar paraqitjen e ekipit.

afrim bilali

 

Bilali bën të ditur se e kishte studiuar deri në detaje kundërshtarin, ndërsa thotë se stoli dhe rikthimet në skuadër bënë diferencën. Bilali, Shqipëria rikthehet të festojë në një ndeshjeje ndërkombëtare.

Si do ta komentoni suksesin ndaj Luksemburgut?
Ishte pa diskutim një fitore shumë e rëndësishme për ekipin kombëtar. Një sukses që i jep moral të gjithë komunitetit të basketbollit në vend dhe veçanërisht skuadrës kombëtare dhe lojtarëve që luajtën me dinjitet deri në sekondën e fundit. Ishte një ndeshje të cilën e kishim përgatitur që prej datës 15 nëntor. Gjithashtu, bashkë me stafin kishim 1 muaj që e studionim Luksemburgun, duke i parë karakteristikat e lojtarëve, stilin e lojës në sulm dhe mbrojtje. Siç edhe u pa, loja ishte e luftuar deri në fund. Si asnjëherë më parë kisha besim të plotë te djemtë, të cilët na shpërblyen me fitoren.

Ekipi u pa në një formë të mirë fizike…
E veçanta e këtyre grumbullimeve në mes të kampionatit bën që lojtarët të jenë të përgatitur fizikisht. Njëkohësisht edhe stoli ka rëndësinë e tij, sepse kemi një ekip të kompletuar mirë dhe lojtarët kanë mundësi të zëvendësohen e t’i rikuperojnë energjitë. Është shumë e rëndësishme që lojtarët të cilët futen nga stoli, ruajnë të njëjtin nivel loje dhe dëshire si ata të formacionit. Ky rifreskim i lojtarëve bëri që ata të cilët u aktivizuan në fund, si Hysenagolli, Pullazi, Dusha, Shestani apo Dallas Mur, të jepnin maksimumin në 3 minutat e fundit, duke bërë që të realizonim edhe përmbysjen.

Këtë herë Kombëtarja pati edhe rikthime të rëndësishme, si Mur, Pullazi apo Dusha…
Për Kombëtaren të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Basketbolli vërtet luhet me 5 lojtarë, por fiton ajo skuadër që ka stolin më të mirë. Normalisht këta lojtarë me rikthimin dhe paraqitjen e tyre kanë bërë të mundur që Shqipëria të ishte kompetitive ndaj Luksemburgut, si dhe ndikuan në motivimin e lojtarëve të rinj, që të jenë akoma më kërkues ndaj vetes, duke bërë që të japin edhe më shumë në fushë. Besoj shumë te forca e grupit dhe te të rinjtë.

Deri ku mund të mbërrijë kjo Kombëtare?
Dihet që Kombëtarja po rifreskohet dhe kemi një moshë mesatare 23 apo 24 vjeç. Besoj shumë te këta djem të rinj, të cilët kanë motivim dhe dëshirë për të përfaqësuar Shqipërinë. Kombëtarja më së paku do të përfaqësohet denjësisht, por si çdo herë futemi në fushë për të fituar. Ka edhe lojtarë të tjerë që duan të luajnë për fanellën e Shqipërisë, por ekipet e tyre nuk u japin leje për aq ditë sa ne grumbullohemi. Kjo bën që Kombëtarja të luajë disi e cunguar, duke mos pasur mundësinë për ta marrë të gjithë potencialin e lojtarëve, të cilët luajnë jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikë.

Në shkurt ju presin dy ndeshje në transfertë ndaj Rumanisë dhe Luksemburgut. Çfarë prisni në këto sfida?
Unë besoj te loja e mirë dhe te përfaqësimi dinjitoz, por gjërat duhet t’i marrim hap pas hapi. Shpresoj shumë që deri në këto ndeshje forma e lojtareve tanë të jetë vetëm në rritje dhe të jenë mirë me shëndet. Kam shumë besim që Shqipëria do të përfaqësohet denjësisht në këto kualifikuese.

Cila është kërkesa apo apeli juaj për zhvillimin e basketbollit në vendin tonë?
Me këtë rast dua t’i bëj thirrje shtetit për të bërë të mundur ligjin e sponsorizimit, sepse është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sportin dhe basketbollin në veçanti. Nëse nuk ka një mbështetje apo përkrahje financiare të biznesit për sportin, atëherë pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve tona maksimale, do të mbetemi të limituar në marrjen e rezultateve. Nëse do të bëhet ky ligj, do të afrohen biznese në mbështetje të Kombëtares apo klubeve dhe kjo do të bëjë që lojtarët të kalojnë në një nivel edhe më të lartë profesional. Kjo do të rrisë edhe shanset tona për të korrur rezultate akoma më të mira dhe, pse jo, të besojmë fort edhe në kualifikim.

kalendari

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"