“EUROBASKET 2025”/ Trajneri Bilali: Luksemburgu agresiv, por futemi për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2021 | 23:24

“EUROBASKET 2025”/ Trajneri Bilali: Luksemburgu agresiv, por futemi për fitore

Prej disa ditësh ekipi kombëtar i basket bollit të meshkujve është grumbulluar në Durrës, në kuadër të ndeshjeve paraeliminatore për “EuroBasket 2025”. Trajneri Afrim Bilali së bashku me lojtarët e përzgjedhur stërviten dy herë në ditë në ambientet e pallatit të sportit “Dhimitraq Goga”.

trajneri

Shqipëria është në grup me Rumaninë dhe Luksemburgun. Me këta të fundit, kuqezinjtë do të përballen pikërisht në takimin debutues që do të luhet më 25 nëntor në orën 18:00 në Durrës. “Panorama Sport” ishte në grumbullimin e kuqezinjve dhe bisedoi me trajnerin Afrim Bilali, i cili foli për përballjen e parë ndaj Luksemburgut, gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë në grup. Bilali komentoi gjithashtu edhe Ligën Unike, si dhe diferencat mes basketbollit në Kosovë dhe Shqipëri. “Kemi pak ditë që stërvitemi, por mund të them që jam i kënaqur me lojtarët që kam.

Gjendja e tyre është e mirë dhe po ushtrohemi fort për t’u përgatitur më mirë. Aktualisht kam në dispozicion 12 lojtarë, por pres që deri të dielën të na bashkohet edhe Taflaj, Pullazi dhe Dallas Moore. Do të përzgjedhim 12 lojtarë që ne mendojmë që janë më të përshtatshëm”, u shpreh Bilali, i cili më pas analizoi kundërshtarin, ndërsa tregoi edhe objektivin: “Këto ditë po studiojmë edhe Luksemburgun. Është ekip që luan shumë shpejt, kanë cilësi individuale, mbrohen në mënyrë agresive, janë të saktë në veprime dhe preferojnë të godasin jashtë zone shpesh.

Qëllimi ynë është të fitojmë dhe këtë e kanë të qartë të gjithë djemtë, por s’do të jetë e lehtë, sepse kemi ekipe shumë të forta përballë. Do të mundohemi të jemi dinjitoz, kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh trajneri shkodran. Në fund, tekniku 42-vjeçar komentoi edhe Ligën Unike, eventin e përbashkët me klube nga Shqipëria dhe Kosova: “Për sa i përket realitetit të ri që është Liga Unike mund të them vetëm fjalë të mira. Impakti pozitiv është i dukshëm dhe mendoj do të shtohet edhe më tej. Nuk mendoj se ka disnivele apo supremaci të basketbollit kosovar.

Ndeshjet deri më tani mes ekipeve tona (shqiptare, kosovare), sepse kështu dua t’i quaj, kanë treguar që vendosen në fund dhe me diferenca të lehta. Fitoret janë të ndërsjella, kështu që nuk shoh ndonjë diferencë. Sigurisht, Kosova është para për disa gjëra, siç është ligji i sportit mbi sponsorizimet dhe kjo pa diskutim ndikon. Sot, basketbolli në nivele të larta është luftë buxhetesh. Kush e ka, i vijnë edhe rezultatet. Sidoqoftë, përveç organizimit, interesit, nuk ka hendeqe aq të mëdha”, përfundoi Bilali.

ROLAND GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"