Euro U-16 / Shqipëria triumfon ndaj Monakos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2017 | 15:20

Euro U-16 / Shqipëria triumfon ndaj Monakos

Kombëtarja shqiptare në basketboll për djem U-16 arrin fitoren e parë në eliminatoret e kampionatit europian, Divizioni C, Grupi B që po mbahen në Andorra. Pas dy humbjeve radhazi, më në fund te kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj rikthehet buzëqeshja.

Shqiperia U-16

Në fundin e një ndeshjeje dramatike, përfaqësuesja e vogël fitoi me rezultatin e përgjithshëm 70- 66. Perioda e parë ka një ekuilibër deri në pikën e gjashtë. Më tej janë shqiptarët që marrin “frenat” e lojës duke u shkëputur 10-6, 15-6, 20-8, ndërsa Ropi ul siparin e këtij 10-minutëshi të fituar bindshëm nga tanët 23-10.

Edhe në periodën e radhës përfaqë- suesja shqiptare administron me maturi avantazhin dhe vijon të udhëheqë pa u shqetësuar nga bashkëmoshatarët e Principatës, 29-17, 33-20, 37-27. Kjo periodë do të mbyllej në ekuilibër në shifrat 18-18. Të besuarit e teknikut Karaj nuk e mendojnë një hap fals edhe në këtë eliminatore, kësisoj tregohen të vë- mendshëm në parket.

Shqipëria është gjithmonë përpara duke rikonfirmuar supremacinë e pjesës së parë, respektivisht 47-31, 54-37, 56-40, 61-42 duke regjistruar në fundin e kësaj periode fitoren 20-14. Me avantazhin 61-42 u mendua se në vazhdim kjo ndeshje nuk do të kishte më histori dhe se minutat e mbetura do të ishin thjesht një formalitet.

Shqiperi U-16

Por në fakt perioda e katërt rezervoi tjetër tablo, ku për pak rivalët nga Principata e vunë në rrezik festën e shqiptarëve. Monako rihyn në fushë më e karikuar dhe me pretendime përse jo për të bërë surprizën. Këtë e dëshmojnë që në startin e periodës duke rikuperuar gradualisht në rezultat me një seri pikësh radhazi të shënuara, 54-61.

Tanët, të shokuar nga ky rikuperim “flash”, i gjejnë pikët e para pas gati 6 minutave lojë pas trepikëshit të frymëmarrjes që mbajti firmën e Ndrecës. Një minutë nga fundi, Shqipëria krijon një tjetër avantazh qetësie 58-70, por jo detyrimisht për të festuar përpara kohe. Dhe alarmi erdhi pikërisht në 30 sekondat e fundit ku Monako rihap ndeshjen në -6 pikë (64-70), ndërsa tabela elektronike tregonte edhe 20 sekonda lojë.

Renditja

Gjashtë sekonda nga fundi, Monako shënon një tjetër kosh, por tashmë nuk ka më kohë pasi festa është legjitime, e gjitha e kombëtares shqiptare në rezultatin e përgjithshëm 70-66. Perioda e katërt përfundon në favor të kundërshtarëve 24-9, por që nuk mjaftuan. Heroi i transfertës së Andorrës ishte pa dyshim i riu Ndreca, i cili regjistroi 17 pikë, 16 topa në tabelë dhe 5 asiste.

I vlefshëm në triumfin e arritur ka qenë edhe kontributi i Duçellarit me 5 pikë, 7 topa në tabelë dhe 3 asiste. Shqipëria sot e ka pushim, ndërsa rikthehet nesër në arenën sportive të “Poliessportiu” me San Marinon, një ndeshje e lehtë në letër për të besuar për një tjetër triumf europian.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"