Etika dhe replika e panevojshme e trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2016 | 23:00

Etika dhe replika e panevojshme e trajnerit

BESNIK DIZDARI

besnik dizdariKohët e fundit vërej, madje jo rrallë, replika kundërshtuese në largësi, midis ndonjë trajneri apo specialisti të skuadrave tona të ndryshme.

Nuk e kemi pas. Kjo është një dukuri e re ndër ne, jo fort e shpeshtë edhe në futbollin ndërkombëtar. Deri aty saqë kur ndodh, bën një lloj jehone disi të çuditshme edhe andej.

Replikat kësisoj, pra edhe këto të kohëve të fundit, pa dashur t’i hyj askujt në stilin apo qëndrimin e tij, që po e quaj të një lloj “publiciteti” vetjak mbase, midis trajnerëve apo specialistëve, më janë dukur sa naive në përmbajtje, por mbi të gjitha krejt të panevojshme e aspak frytdhënëse.

Ndërkaq, shpresoj që lexuesi të ma kuptojë se qëllimi i këtyre radhëve nuk është të zgjatem fort e aq më pak të ndërhyj, çka nuk e kam këtë të drejtë.

 

Ajo që në këtë rast më tërheq si gazetar është diçka më përtej. E këtu pyetjet më vërshojnë: A e kemi ne Shoqatën e Trajnerëve të Futbollit doemos jashtë Federatës Shqiptare të Futbollit?

A mblidhen ndonjëherë trajnerët tanë për të biseduar me njëri-tjetrin për çështje teknike të përparimit të futbollit në Shqipëri?

Apo takohen vetëm disa sekonda para e mbas ndeshjeve kampionale me një “urime” dhe “faleminderit”? A janë mbledhur ndonjëherë trajnerët e skuadrave shqiptare për të diskutuar mbi statusin e tyre, mbi të drejtat e tyre, pa guxuar të mbërrij deri te një sindikatë e tyre, teksa shohim se si shkarkohen, flaken tej apo dhe riemërohen jo rrallë në pasiguri të plotë?

A është shqetësuar dikush për së mbari se si formohen trajnerët e futbollit në Shqipëri? A e ka themeluar Shqipëria “shkollën” e saj të trajnerëve të futbollit? A mos kemi mbetur thjesht te kursi A apo B i UEFA-s që të çon te licenca e trajnerëve dhe vetëm kaq?

A është një profesion mirëfilli sot të ushtruarit e punës së trajnerit të futbollit në Shqipëri? Dhe, në fund, cili është pozicioni sa profesional, po aq edhe shoqëror i trajnerëve shqiptarë të futbollit?

Ndërkaq, nuk është “arkaike” që të të shkonte mendja për mundësinë e organizimit të një forumi apo bashkëbisedimi, si të thuash profesional, pse jo të një mendimi kritik midis trajnerit të Kombëtares, Gianni de Biasi, dhe trajnerëve shqiptarë.

Dhe merret me mend se ka shumë gjëra për të treguar, për të shpalosur, për të shkëmbyer ide e mendime. E ndoshta edhe për të zbuluar “sekrete” profesionale, edhe pse në dukje të jashtme mund të mos ketë të tillë. Për shembull: Për të shpalosur në vështrimin teknik se si u punua që Shqipëria t’ia arrinte të ishte midis 24-shes të Europës.

E po aq se si ia arriti të tregonte vërtet një futboll të hijshëm modern në stadiumet e Francës. Kësisoj, replikat disi “të ashpra” të kohëve të fundit, ku për fat ka ndodhur të përzihet edhe ndonjë kryetar klubesh apo skuadrash, ta do mendja se jo vetëm janë të panevojshme, por edhe humbje kohe.

Jo rrallë dëgjojmë fjalë të mira trajnerësh shqiptarë për trajnerin e Kombëtares, De Biasi. Bukur! Nga ana tjetër, dëgjojmë edhe kritika therëse, shpesh të drejta, por shpesh edhe të padrejta, madje “ex catedra”, ndonëse kritikuesi ka qenë vetë trajner dhe është ndodhur çarmatosës në situata të ngjashme.

Mirëpo, ja që dëgjojmë rrallë fjalë afirmuese trajnerësh shqiptarë për kolegë të tyre të skuadrave shqiptare. Sidomos për ata trajnerë, të cilët nuk janë punësuar në FSHF, por që kanë, si të thuash, jetën e tyre profesionale jashtë saj. Dhe i kanë mundësitë për të qenë pra kaq etikë.

Për fat. Si asnjëherë tjetër në historinë e gazetarisë së folur në Shqipëri, vërejmë se shumë trajnerë, një lloj gazetarie tejet “bujare” i ka shndërruar në “analistë” studiosh televizive.

Çka do të thotë se kësisoj ata kanë mundësi shpesh të pacak sa për një kritikë afirmuese, po aq dhe një kritikë “shkatërruese”, që dikur i kishim monopol vetëm ne gazetarët. Por, çuditërisht, shpesh më duket se pa dashur ata përfshihen në një zhbaraspeshë etike të mendimit.

Kohët e fundit kam mësuar diçka që më është dukur vërtet e bujshme e që ia vlen ta tregoj edhe për shtjellimin e kësaj pak teme. E kam mësuar prej librit tejet të çmueshëm të kujtimeve të Bekim Fehmiut – aktorit të përmasave botërore – me titullin “Shkëlqim dhe tmerr”.

Gjithçka ka të bëjë me vëllamë e Bekimit, prof. Arsim Fehmiu. Këtu në “Panorama Sport”, vitin që shkoi, në dossier-in zbulues për ndeshjen e jashtëzakonshme Kosova – Jugosllavia 3-3 të 8 nëntorit 1967, e kam përshkruar gjatë këtë “kryevepër” të vogël të trajnerit Arsim Fehmiu të asaj Kosove. Dhe vetëm kaq pra. Tash më mbërrin befasia e madhe.

Paska ndodhur më 1979, kur i paharrueshmi Bekim Fehmiu kishte qenë mik i Miljan Miljani?-it në Madrid. Dhe papritmas ai dëgjon trajnerin e famës botërore të Kombëtares së Jugosllavisë e të një Crvena Zvezde, Real Madridi e Valencia t’i flasë me respekt të madh për trajnerin Arsim Fehmiu.

I thotë Bekim Fehmiut Miljan Miljani?- i: “Vëllai yt Arsimi është një trajner i shkëlqyeshëm, i talentuar, por kokëfortë. Dëm! Njeriu në jetë duhet të lëshojë pé ndonjëherë”.

Mandej vazhdon Bekimi: “Arsimi që kishte mbaruar Fakultetin e Edukatës Fizike dhe shkollën për trajnerë, kishte trajnuar të rinjtë si asistent i Miljani?-t në fillim të viteve gjashtëdhjetë, në Makarska.

Vëllai im ia kishte tërhequr vërejtjen shefit tek i riu Dragan Džaji? (Xhajiq). E kishte parandier se djaloshi i ri do të mund të bëhej një futbollist i madh…”.

Afirmimin e talentit të trajnerit Arsim Fehmiu prej një kolosi të trajningut, siç dihet se ka qenë Miljan Miljani? – origjinar i qytetit fqinj me ne, Nikshiq i Malit të Zi – është pa dyshim një gjest kavaleresk midis trajnerësh.

I një rëndësie tjetër të bujshme mandej fakti që Arsimi paska stërvitur të rinjtë si asistent i Miljani?-it dhe mbi të gjitha se Arsimi i ka parashikuar atij një nga më të mëdhejtë e futbollit botëror, legjendarin Dragan Džaji? (Xhajiq)! Edhe ky episod kaq befasues të çon jo pak tek ideja “e trajnerit për trajnerin”.

Ose më qartë: te ndërsjellja e matur, humane, profesioniste, kalorësiake “e trajnerit për trajnerin”. Natyrisht, pa replika të panevojshme si disa asisoj që kohët e fundit janë shfaqur në mjedisin e trajnerëve tonë.

Dhe, meqë gjithnjë e më fort po “italianizohemi” me punët e futbollit, sesi m’u kujtua ajo që në Italinë fqinje njihet prej inicialeve (nistoreve) A.I.A.C. që nënkupton Associazione Italiana Allenatori Calcio – në shqipet: Shoqata Italiane e Trajnerëve të Futbollit.

Është themeluar qysh më 1966. President i saj është Renzo Ulivieri – një nga trajnerët më të shquar të futbollit të këtij shteti.

Dhe e kanë thuajse të gjithë shtetet e tjera. A është një e tillë në Shqipëri?… Ndërkaq, nuk di diçka për ndonjë skuadër të re për trajnerin katër herë kampion me Skënderbeun tonë, Mirel Josa!… Është ende fort i ri për të pushuar.

Ndoshta do ta shohim edhe atë “analist” në ndonjë televizion shqiptar. Dhe “analisti” është bërë streha “e rrufeshme” e trajnerëve shqiptarë.

Nuk është fort keq edhe kështu. Po a kaq pak ka nevojë Shqipëria për trajnerë që të stërvisin në fushat e blerta? Ndoshta edhe kjo vlen për t’iu larguar po kaq rrufeshëm replikave të panevojshme midis trajnerësh…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"