Etapat e ringritjes së Milanit, Gatuzo kërkon hakmarrje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2018 | 21:48

Etapat e ringritjes së Milanit, Gatuzo kërkon hakmarrje

Në çiklizëm, etapat e vështira nuk fillojnë menjëherë, teksa për Milanin, xhiroja e Serisë A ka nisur në malore. Fillimisht Napoli e më pas Roma, me dy ndeshje diametralisht të kundërta në lojë dhe rezultat. Tani për kuqezinjtë kalendari duket më i lehtë, por është njëkohësisht i ngjeshur, me skuadrën që pas pushimit të kombëtareve duhet të përballojë pesë ndeshje në 16 ditë.

Mundësia për të fituar distancë nga rivalët është konkrete, pa harruar që “Djalli” ka një ndeshje më pak, atë ndaj Xhenoas, e programuar për t’u luajtur më 31 tetor, teksa me një ecuri të kënaqshme, djemtë e Gatuzos do të paraqiteshin në përballjen me Juventusin, më 11 nëntor, në pozita më inkurajuese.

gatuzo

EKUILIBËR – Dy ndeshje ndaj ekipeve të nivelit Champions dukshëm nuk mjaftojnë për të imagjinuar pozitat e kuqezinjve pas një muaji, edhe sepse mes dy paraqitjeve ka një diferencë të pashpjegueshme, aq sa duket se nuk janë luajtur brenda një jave. Pikërisht ky është edhe ekuacioni i parë që duhet të zgjidhë Rino Gatuzo, pasi një skuadër ambicioze nuk mund të shfaqë dy fytyra krejtësisht të ndryshme në kaq pak kohë. Skuadra duhet të mos e ndërpresë energjinë siç ndodhi kundër Napolit, por të jetë në çdo moment e gatshme për të “kafshuar” rivalët, siç bëri me Romën. Trajneri e njeh problemin teksa në daljen e fundit për mediat deklaronte: “Nuk dua që ekipi të tërhiqet kur jemi nën presion, prapavija nuk duhet të trembet”. Fjalë të drejta këto, sidomos për një ekip që synon ringritjen nëpërmjet ekuilibrit të predikuar nga udhëheqësi.

GARAT- Milani nuk do të ketë maja marramendëse në kalendar, por nga ana tjetër nuk do të mungojnë transfertat. Në pesë takimet e radhët, tifozët milanistë do të mund të duartrokasin ekipin në “San Siro” vetëm në një rast, në javën e pestë, ndaj Atalantas, teksa për gjetjen e ritmit dhe ekuilibrit do të duhet të udhëtojnë drejt Kaljarit, Empolit, Sasuolos, madje deri në Luksemurg, ku i pret Dudelanzhi. Gatuzo gjen prehje në të dhënat e vitit të kaluar, kur ekipi i tij rreshtonte gjashtë rezultate pozitive radhazi, teksa transferta e fundit me dëme ishte ajo ndaj Juventusit, gjithsesi e pranueshme.

STATUSI – Milani kërkon jo vetëm rezultate, por edhe një identitet të qartë. Analistët e situatave kuqezi nuk janë të qartë, teksa vetë Gatuzo pesë ditë më parë u hakërrehej: “Në fillim ankoheshit se kisha ekip me vetëm zemër dhe agresivitet, kurse tashmë ankoheni se bëjmë shumë pasime”. Qëkur morri stolin e ekipit ku si lojtar fitoi gjithçka, Rino është sulmuar shumë, e shpesh pa të drejtë. Nuk duhet harruar se mori një skuadër të dërrmuar në shumë aspekte dhe e dërgoi në Ligën e Europës, duke vlerësuar ndërkohë lojtarë si Bilia, Çalhanoglu, Kalabria apo edhe Kutronen, që pavarësisht talentit, në situatën që ishte Milani, duhej kurajë për ta hedhur në fushë. Fitimi i sfidës ndaj skeptikëve, që kalon nga maloret e Milanit, do të jetë hapi vendimtar për të ngjitur kuqezinjtë në majë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"