Estradë e Kombëtares U-19, Bogdani: Nuk e kuptova si u shthurëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 10:29

Estradë e Kombëtares U-19, Bogdani: Nuk e kuptova si u shthurëm

Trajneri i Shqipërisë U-19, Erjon Bogdani, është shfaqur me të drejtë shumë i dëshpëruar pas ndeshjes së djeshme. Ish-sulmuesi nuk u beson syve që skuadra e tij e ka mbyllur me një disfatë kaq të thellë. I pyetur nga “Panorama Sport” pas ndeshjes, trajneri ka paralajmëruar një analizë të thellë, ndërsa e ka lënë të hapur të ardhmen e tij.

erjon-bodgani-658x370

Bogdani, a është normale kjo shthurje e ekipit?

Sigurisht që nuk është normale, por ajo duhet analizuar thellë. Ndeshjen ne e patëm përgatitur shumë mirë, pasi matematikisht kishim ende shpresë për kualifikim. Shpresonim që Ukraina të bënte detyrën ndaj Malit të Zi dhe ne të fitonim të paktën 2-0. Por, kjo ndeshje e tillë është e pashpjegueshme nga ana ime.

Është e tillë, duke parë se po ky formacion, që ka luajtur mjaft bukur kundër Ukrainës kryesuese të grupit, po na zhgënjente në këtë mënyrë. Nuk e kuptova pse pas barazimit të Norvegjisë pësuam një “black out” të pakuptimtë.

Lojtarët u dukën që nuk ju përgjigjeshin, si ka mundësi?

Të gjithë luajtën dobët dhe unë jam përgjegjësi. Më vjen keq për mënyrën se si dolëm nga ky kompeticion, pasi në dy ndeshjet e para këta djem kanë luajtur shumë mirë. Megjithatë, pas golit që pësuam, ekipi u shthur, luajtëm keq dhe e merituam këtë humbje.

Në këto tri ndeshje, nga kush jeni zhgënjyer më shumë?

S’mund të them se jam i zhgënjyer nga këta lojtarë, pasi kemi luajtur shumë mirë në dy ndeshjet e para dhe e kemi nisur mjaft bukur edhe takimin e tretë. Por, siç e thashë edhe më sipër, skuadra kërkonte golin e dytë që ishte një shpresë për kualifikimin tonë dhe ai nuk doli. Kështu që skuadra jonë nuk e mbajti dot presionin dhe ra moralisht.

Sigurisht që hije zhgënjimi erdhi pas këtij momenti. Për këtë është e padiskutueshme që do të ketë një analizë, por gjithsesi duhet të shohim përpara. Kemi shumë lojtarë të datëlindjeve 2000 e 2001, që kanë qenë gjatë grumbullimit tonë. Sigurisht që do të vijë edhe largimi i datëlindjeve 1999, pasi do t’i kalojnë ekipit tonë Shpresa, ku patjetër që do të ketë edhe ndryshime. U dhashë një tjetër mundësi, duke i aktivizuar për të nxjerrë në pah vlerat e tyre personale, por luajtën keq.

Pse u zëvendësua portieri Qirko?

Më kërkoi vetë daljen nga fusha, pasi ishte i dëmtuar. Prandaj e ndërrova, jo për golat që pësoi.

Me këtë humbje, a rrezikohet edhe pozicioni juaj?

Si trajner, nuk diskutohet që jam përgjegjësi kryesor i kësaj humbjeje. Por, nuk jam unë ai që duhet të përgjigjem. Dua të theksoj se ndiej përgjegjësi të madhe si trajner. Edhe këta djem të rinj e ndiejnë thellë peshën e fanellës së ekipit kombëtar. Dua t’u kërkoj ndjesë tifozëve tanë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"