Esin Hakaj s’ka dyshime: Kënaqemi vetëm me tri pikët përballë Flamurtarit

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 17, 2018 | 15:20

Esin Hakaj s’ka dyshime: Kënaqemi vetëm me tri pikët përballë Flamurtarit

Teuta e nis kampionatin me ndeshjen në shtëpi kundër Flamurtarit, në një takim që të dyja ekipet do të futen në fushë për të fituar. Përballë është një kundërshtar dinjitoz, por që ky fakt nuk i shqetëson bregdetarët. Mbrojtësi i krahut të majtë, Esin Hakaj, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, thotë se Teuta është përgatitur për të marrë maksimumin më këtë sfidë.

hakaj
E nisni me Flamurtarin, fitorja është detyrim për ju. A është gati Teuta?

Sigurisht që është. Kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe dhe jemi të kënaqur me ritmin që kemi. Ekipi është përforcuar shumë. Kemi bërë disa miqësore dhe jemi harmonizuar mirë me njëri-tjetrin. Jam i bindur se do ta nisim me “këmbë të mbarë” dhe për këtë duhet të japim të gjithë maksimumin.

Pas ndryshimeve të shumta në skuadër, çfarë prisni nga ky sezon?

E rëndësishme për mua është të jap më të mirën në stërvitje më pas është trajneri ai që vendos. Çdo lojtar kërkon të luajë sa më shumë dhe unë do të përpiqem të jap më të mirën për të ndihmuar skuadrën kur ka nevojë për kontributin tim. Skuadra është përforcuar shumë dhe konkurrenca na bën mirë të gjithëve.

Si e shikoni konkurrencën me Ndrecën?

Edisoni është një lojtar i talentuar që ka bërë mirë gjatë kësaj periudhe. Jam gati për të dhënë maksimumin, më pas është trajneri ai që vendos. Mbi të gjitha, e rëndësishme është që ekipi të fitojë.

Çfarë këshillash ju ka dhënë trajneri gjatë kësaj periudhe? Ku mendoni se duhet të përmirësoheni?

Roli im është mbrojtës i djathtë, por mund të luaj edhe më i avancuar. Unë jam gati të jap më të mirën, pavarësisht rolit, por ndihem më komod kur luaj në rolin tim natyral. E mira nuk ka fund dhe unë nuk kënaqem asnjëherë me veten.

Si i vlerësoni afrimet në merkato?

Drejtuesit kanë afruar lojtarë shumë cilësorë që janë të aftë të bëjnë diferencën. Në çdo repart kemi afrime të rëndësishme dhe mendoj se lojtarët që kanë më shumë eksperiencë si Osmani, Hidi dhe Bicaj do ta ndihmojnë shumë skuadrën.

Me çfarë objektivash do të futet Teuta në këtë sezon?

Në një garë të gjithë duan të fitojnë dhe ne do të futemi për të fituar. Duam t’i marrim ndeshjet me radhë dhe më pas do të shohim se ku do të arrijmë. Kam shumë besim se do të jemi dinjitozë këtë edicion. Pjesëmarrja në kompeticionet europiane nuk duhet të diskutohet nga ne, pasi jemi një ekip i fortë me lojtarë që kanë shumë ambicie për të fituar.

Drilon Xhepollari






www.minuta90.com