“Është vetëm fillimi”, nga kundërshtar në golashënues, Milani shijon vikingun Hauge

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2020 | 23:09

“Është vetëm fillimi”, nga kundërshtar në golashënues, Milani shijon vikingun Hauge

Pas disa vjetësh do të luash me Milanin e do të shënosh në Europë”. Nëse Jens Hauges do t’ia kishin thënë këtë tri vite më parë do të kishte qeshur. Tashmë është gjithçka e vërtetë, sepse Hauge me fanellën kuqezi luajti dhe shënoi ndaj Sëlltikut golin e parë personal dhe të tretin për ekipin. E të mendosh që kur zgjodhi futbollin, ishte në dilemë pasi në anën tjetër ishin skitë, një pasion natyror për çdo skandinav.

celtic-v-ac-milan-group-h-uefa-europa-league6-e1603441605582

EUROPA — Pas Brahim Diazit, Milani po shijon një tjetër xhevahir për të cilin u mendua gjatë. Fati deshi që Hauge të shpërthente pikërisht ndaj klubit të tij aktual në sfidën eliminatore të Ligës së Europës kur mbronte ende ngjyrat e Bodo Glimtit. Në fakt, drejtuesit kuqezinj po monitoronin, por me golin në “San Siro” mesfushori u “vodhi” një “po” të prerë italianëve që pranuan të paguanin 5 milionë euro për ta rrëmbyer menjëherë.

“Na bindi, le ta marrim menjëherë”, pëshpëritën mes tyre Maldini e Masara në tribunë pas vetëm 29 minutash lojë. Ndërkohë, norvegjezi me atë ndaj Sëlltikut ka arritur në kuotën katër të golave europianë (3 me Bodon dhe 1 me Milanin). Mund të cilësohet si i artë ky tetor për djaloshin e lindur në Glimt pasi përveç transferimit, ka kurorëzuar edhe ëndrrën e kombëtares pas debutimit të dhjetë ditëve më parë.

BODO TRAMPOLINË — Duke qëndruar në Norvegji, Hauge ka luajtur në 118 ndeshje duke shënuar 35 gola përpara se të largohej. Ndaj Milanit shënoi golin e 17-të sezonal, duke qenë se norvegjezët e nisin vitin futbollistik më herët e po në atë ndeshje dhuroi edhe një asist.

Në përballjen europiane të “San Siro”-s, Pioli u lodh teksa shihte Haugen duke shpërthyer në të majtë dhe në një moment u dëgjua të urdhëronte me zë të lartë: “Markojeni!!!” 6 ditë pas atij takimi, Milani nënshkroi për pesë vite me 21- vjeçarin. Në ditën e prezantimit ai do të deklaronte: “Është një ëndërr që po më realizohet.

hauge

Nuk mund të refuzoja”. 72 orë dhe vjen debutimi si kuqezi kundër Specias, ndërkohë që më 12 tetor, për ditëlindje, debuton me kombëtaren në krah të Halandit. Të dy bashkë një vit më herët kishin dërrmuar Hondurasin U-20 në fitoren historike 12-0. Në atë takim gjiganti i Borusias shënoi nëntë herë, por katër asiste i mori pikërisht nga Hauge.

PA FRIKË — Konkurrenca nuk e tremb e siç shpjegon vetë djaloshi: “Është arsyeja që zgjodha Milanin”. Në Skoci i mjaftuan dhjetë minuta që i shfrytëzoi duke shënuar golin e parë personal dhe atë të qetësisë për ekipin. “Jam i lumtur që shënova, por më tepër për fitoren. E nisëm ndeshjen mirë dhe meritat u takojnë shokëve. Ishte bukur që pjesa e parë u mbyll me avantazh, por nuk duhet të ulim përqendrimin asnjëherë sepse rrezikojmë t’u japim shpresë rivalëve si Sëlltiku që përfitoi menjëherë”, do ta mbyllte Hauge deklaratën e tij.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"